SHIFRAT/ Mijëra euro për kostume dhe emisione, si u fry kostoja e prodhimit në RTSH

FOTO ILUSTRUESE

TIRANË-Në fillim të muajit gusht, Radio Televizionit Shqiptar (RTSH) kërkoi mbështetje financiare prej 200.000.000 lekësh shtesë nga Buxheti i Shtetit. Konkretisht, drejtoresha e RTSH, Eni Vasili ngriti alarmin, për gjendjen kritike financiare, duke pranuar se kjo gjendje është si pasojë e keqmenaxhimit dhe abuzimi nga drejtuesit e paraardhshëm, duke përfshirë periudhën e emërimit dhe shkarkimin të Alfred Pezës. Por si u frynë kostot e prodhimit në Radio Televizionin Shqiptar?
Në dokumentet e siguruara më poshtë shfaqet plani i programeve për periudhën mars-qershor 2025, me një kosto të lartë prej 800 milionë lekësh. Në plan përfshihen kostot për 22 emisione si dhe pagesat nga operatori tek drejtuesi dhe regjisori. Përpos pagesave për punonjësit, në plan përfshihen edhe kostot për veshje të tipit, kostume, këmisha, pantallona apo shalle. 

RTSH financohet me rreth 25 milionë euro nga taksat e qytetarëve dhe buxheti i shtetit, por nisur nga shifrat e planit për periudhën mars -qershor 2025, zbulohet se institucioni ka pësuar humbje të konsiderueshme me shpenzime jashtë buxhetit të miratuar. Keqmenaxhimi i financave të institucionit publik, ka sjellë ngërç që prej marrjes së detyrës nga Eni Vasili, e cila ka theksuar rrezikun për pamundësinë e shlyerjes së pagave ndaj punonjësve. Vasili madje është shprehur se do të kërkojë një auditim të plotë të strukturës dhe projekteve të institucionit, për të kuptuar se ku kanë përfunduar fondet publike. 
Gazetarja dhe moderatorja, Eni Vasili është zgjedhur drejtoreshë e Radio Televizionit Shqiptar. Gazetarja u vendos në krye të RTSH, duke siguruar 7 votat e nevojshme. 
Debati për garën e drejtuesit të ri të RTSH, nisi pas largimit të Alfred Pezës nga detyra. Për kreun e RTSH garuan: Harilla Koçi; Jetmir Shpuza; Enrik Mehmeti; Floriana Paskali; Eni Vasili; Ermal Hoxha; Aurora Polo; Kliton Rama; Flamur Buçрарај dhe Laureta Roshi. Por, 8 prej tyre u skualifikuan dhe në raundin e dytë kaluan vetëm dy: drejtuesja e komanduar Aurora Polo dhe Jetmir Shpuza. Në garë u gjetën parregullsi, gjë që solli edhe reagimin e partive politike (PS dhe PD), ku kërkuan zgjedhje të drejta. Po ashtu, edhe ndërkombëtarët bënë thirrje për transparencë në këtë garë. Pas kësaj ndërhyri Kuvendi i Shqipërisë ku vendosi shkarkimin e Këshillit Drejtues të RTSH-së./ZËRI