185 nxënës të shkollës 9-vjeçare “Met Hasa” në zonën e Porto Romanos, Durrës, nuk kanë mundur të zhvillojnë mësim në ditën e parë të vitit të ri shkollor. Edhe pse shkolla e tyre ndodhet prej muajsh në proces rikonstruksioni, kjo nuk është arsyeja që fëmijët sot mbetën në rrugë.
Shkaku i vërtetë është mungesa e mjetit të transportit, i cili deri në fund të vitit të kaluar shkollor i dërgonte fëmijët nga Porto Romano drejt shkollës pritëse “Neim Babameto” në zonën e Spitallës, dhe anasjelltas.
Siç duket edhe në videon e siguruar nga vendngjarja, nxënësit ishin gati për të nisur mbarë vitin shkollor, por u kthyen në shtëpi, pasi asnjë mjet transporti nuk ishte vënë në dispozicion të tyre.
Njoftimi i papritur i ZVA-së: Përdorni autobusin urban
Sipas burimeve nga shkolla, drejtori është njoftuar të premten nga Zyra Vendore e Arsimit se për këtë vit shkollor nuk do të kishte më mjet transporti për nxënësit. Në vend të tij, fëmijëve dhe prindërve u është sugjeruar të përdorin linjën e transportit urban, që përshkon zonën, duke paguar vetë biletën vajtje-ardhje çdo ditë.
Kjo ka sjellë zemërim të madh tek prindërit, të cilët e konsiderojnë vendimin absurd dhe diskriminues, duke qenë se shumë prej tyre nuk kanë mundësi ekonomike të përballojnë shpenzimet shtesë të përditshme për fëmijët.
Paralajmërohet protestë: Rruga do të bllokohet të martën
Prindërit dhe nxënësit kanë paralajmëruar zhvillimin e një proteste të martën në mesditë, me qëllim bllokimin e rrugës pranë shkollës “Met Hasa”. Ata kërkojnë që Bashkia e Durrësit dhe institucionet arsimore të reagojnë menjëherë dhe të rikthejnë transportin e sigurt për nxënësit.
Sipas tyre, mësimi nuk mund të zhvillohet në këto kushte, dhe fëmijët nuk mund të penalizohen për paaftësinë apo neglizhencën e autoriteteve.
