Vrasja e Renato Hoxhajt në Vlorë/ Ky është autori rumun, në kërkim prej muajit prill (FOTO)

Daniel Cornea-Renato hoxhaj

VLORË- Daniel Cornea është shtetasi rumun, i cili vijon të jetë në arrati që prej muajit prill, si autori i dyshuar për vrasjen e Renato Hoxhajt. Ky i fundit punonte roje në një subjekt privat, ndërsa u ekzekutua më 27 prill në Vlorë, në lagjen “Hajro Çakërri”. 
Pamjet filmike të publikuara më herët nga ZËRI, tregojnë autorin rumun të qetë, me maskë dhe kapele, veshje e pazakontë për stinën, por e studiuar për të shmangur identifikimin. Nga burime është mësuar se 53-vjeçari ishte një vrasës me pagesë që ishte kontraktuar nga Dubai për të kryer vrasjen në Vlorë. Po ashtu, mësohet se pasi ka qëlluar mbi 58-vjeçarin, rumuni Daniel Cornea ka dalë nga Shqipëria përmes doganës së Qafë Botës. 
Në hetim për këtë vrasje është nën hetim edhe 26 vjeçari me inicialet I. S., i vënë në pranga më parë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, për të cilën vijon puna për të përcaktuar rolin e tij në këtë ngjarje kriminale. 
Në lidhje me vrasjen në pranga është vendosur Kleanth Bylyku alias Armando Gega, i cili u arrestua më 1 gusht. 42-vjeçari me dy emra akuzohet si bashkëautor në kryerjen e veprës penale “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim. Ditën e vrasjes Kleanth Bylyku ka lëvizur në të njëjtin automjet me personin që e ka ekzekutuar. Bylyku ka qenë personi që e ka ndihmuar me lëvizjen, i ka dhënë informacionet e duhura për viktimën madje i ka siguruar edhe armën e zjarrit siç konfirmohet. Në pranga në lidhje me ngjarjen është vendosur më herët edhe Eris Mehmetaj i dyshuar se ka ndihmuar autorin e vrasjes së Renato Hoxhajt. Ndaj tij është caktuar masa e sigurisë “arrest me burg”. 
Ndër personat e shpallur në kërkim është edhe Alesio Dobrozi, i cili sipas informacioneve të fundit ndodhet në Dubai. Dobrozi është i njohur për autoritetet shqiptare dhe ka qenë më parë i përfshirë në incidente kriminale. Në vitin 2021, ai bashkë me Ramazan Rrajën dhe Roan Brahimin, i vrarë kohë më parë në Athinë kishin hyrë të armatosur në një lokal në Lezhë. 
Renato Hoxhaj u ekzekutua me katër plumba mëngjesin e 27 prillit. Viktima ka marrë dy plumba në kokë dhe dy në trup. Autori ende i paidentifikuar ka lëvizur me një makinë tip “Range Rover” që është pikasur para dhe pas krimit dhe më pas ka humbur çdo gjurmë, ndërsa rezulton se ky mjet është blerë rreth 3 javë para krimit në Tiranë. Vrasja dyshohet të jetë porositur nga Dubai, ndërsa për të vënë në jetë planin e ekzekutimit të Hoxhajt më 27 prill, autorët kanë përdorur 3 automjete./ZËRI