Dumani shtrohet në reanimacion/ Tentativë helmimi?! Po hante karkaleca në qeli dhe befas… Ja ç’ndodhi me “xhevahirin” e SPAK

Nuredin Dumani

TIRANË- I penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani, përfundoi mbrëmjen e djeshme në urgjencën e QSUT pasi shfaqe probleme shëndetësore. Teksa nuk ka ende një njoftim zyrtar nga Drejtoria e Burgjeve mbi shkaqet që kanë çuar në përkeqësimin e gjendjes shëndetësore të Dumanit, burime për mediat bëjnë me dije se dëshmitari i SPAK ka qenë duke ngrënë karkaleca në qelinë e tij dhe mund të jetë helmuar. Krejt papritur, zemra e tij problematike, ka pësuar ç’regullim rrahjesh dhe ka rënë në gjendje të fikti. Punonjësit e policisë së Burgjeve kanë vërejtur situatën dhe kanë kontaktuar eprorët e tyre, teksa menjëherë më pas, Dumani është transportuar në spital nën masa të rrepta sigurie.
Sipas gazetari i Elton Qyno, Dumani ka qenë në gjendje të fikti kur ka mbërritur në urgjencën e QSUT-së, ku i është matur pulsi dhe rrahjet e zemrës. Më pas, Dumani në gjendje të pavetëdijshme i është nënshtruar një procesi skanimi në pjesën e kokës, barkut dhe gjoksit. Aktualisht, mësohet se Dumani po merr trajtim të specializuar në reanimacionin e kardiologjisë në Qendrën spitalore Nënë Tereza në Tiranë, ku është rehabilituar në një nga dhomat VIP të këtij reparti, duke qëndruar i vetëm. Dumani do vijojë të qëndrojë disa ditë në reanimacionin e kirurgjisë, me qëllim kryerjen e të gjitha analizave mjekësore.

Dërgimi i Dumanit në spital vjen fill pas dëshmisë së vëllait tjetër të tij, Fitimit, i cili ka rrëfyer për disa ngjarje kriminale dy ditë më parë. Dumani është një nga dëshmitarët kyç të drejtësisë shqiptare, pasi dëshmia e tij në kuadër të dosjes së njohur si “Plumbi i Artë” ka çuar në hapjen e një sërë çështjesh penale dhe hetimesh ndaj grupeve të fuqishme kriminale në vend.
Roli i tij si i penduar e ka bërë një nga figurat më të mbrojtura dhe njëkohësisht më të ekspozuara në opinionin publik. Çdo zhvillim që lidhet me shëndetin apo sigurinë e tij pritet me interes të madh, si për shkak të ndikimit në proceset gjyqësore ashtu edhe për pasojat që mund të ketë në ecurinë e hetimeve./ZËRI