Vera e vitit 2025 për turizmin është më zhgënjyese për vendin tonë. Një analizë e bërë që nga fillimi i vitit e deri në kulmin e saj, në muajt e verës, tregon se Shqipërinë po e vizitojnë gjithmonë e më shumë turistë “kopracë”, të cilët nuk duan të harxhojnë shumë. Por shkak për këtë rënie të turizmit është bërë mungesa e turistëve italianë, si dhe e shqiptarëve nga Kosova dhe Diaspora. Gjithashtu, një tjetër problem mbeten çmimet e kripura në jug të vendit.
Vera e këtij viti është endur mes zhgënjimit të një sezoni turistik, ku zhvillimet reale nuk u përputhën me pritshmëritë e fillimvitit. Strukturat hoteliere në Jug kanë raportuar rënie me 30% të të ardhurave në krahasim me verën e vitit 2024, ndërsa në Veri kjo rënie ishte 10–15%. Shkak është ndryshimi i target-grupit që po na viziton, ku mbizotërojnë masivisht ata me buxhet të ulët.
Në total, viti 2025 pritet të arrijë shifrat e vitit të shkuar për numrin e turistëve të huaj, me pritshmërinë që turet kulturore do të kompensojnë zbehjen e verës. Arsyet se pse suksesi i turizmit u zbeh që në muajt e parë të këtij viti dhe vijoi edhe më dukshëm gjatë verës janë disa, dhe përfshijnë të gjitha palët: nga qeveria te biznesi.
Në muajin shkurt u vu re qartë një ngadalësim i turizmit, që vazhdoi me një hap pas në mars dhe me rritje modeste në vijim. Në fund të majit, panorama u bë e qartë: rezervimet individuale për sezonin veror në hotele ishin më të ulëta një sinjal që tregonte se vera nuk do të ishte ashtu siç pritej.
Në Jug të vendit, shkak për rënien është bërë paqëndrueshmëria e çmimeve dhe mungesa e një raporti të drejtë çmim/shërbim. Grupet që munguan dhe që kanë bërë diferencën janë italianët, Kosova dhe Diaspora shqiptare në përgjithësi. Dy grupet e para ndikohen nga çmimet, dhe kjo është përgjigjja e tyre për luhatjet e çmimeve në vendin tonë, ndërsa Diaspora ka munguar sepse është e zhgënjyer.
Ndërkohë, turisti që po viziton Shqipërinë nuk kërkon përvoja luksoze apo pushime verore që mund t’i gjejë në vende si Italia, Spanja apo Greqia. Ai kërkon të shpenzojë sa më pak për akomodim, transport, ushqim, dhe të marrë maksimumin nga një vend që e sheh si një aventurë të radhës.
Pikërisht kjo qasje e Shqipërisë si një vend i lirë ka bërë që të ndryshojë edhe profili i turistit që po e viziton ai është më pak cilësor në aspektin e shpenzimeve sesa turisti tradicional. Si pasojë, rezervimet janë më të ulëta në hotele dhe prurjet më të larta janë në apartamente që jepen me qira në platforma si Airbnb apo Booking.
Plazhi është një stacion i shkurtër në ditën e tij, dhe alternativat publike, pa pagesë, janë zgjidhja e preferuar. Ushqimet tradicionale të shtëpisë, fast food-i dhe supermarketet janë pjesa që mbizotëron mbi baret dhe restorantet e shtrenjta. Transporti publik është një formë e kërkuar sa herë që është i lehtë për t’u përdorur, por mungesa e alternativave ndonjëherë i shtyn turistët drejt marrjes me qira të një mjeti për një kohë të kufizuar.
Një tjetër problem i shfaqur është se zonat e cilësuara si elitare, por edhe ato që presin turizëm masiv, kanë pasur mungesë uji. Në zona më rurale, ku kanë alternuar qëndrimin turistët e aventurës, ka pasur ndërprerje të energjisë elektrike.
