Sekretari i Shëndetësisë i SHBA-ve, Robert F.Kennedy, planifikon të bëjë një njoftim të rëndësishëm lidhur me përdorimin e një ilaçi gjatë shtatzënisë dhe autizmin te fëmijët, raporton Wall Street Journal.
Media amerikan bën me dije se Kennedy do të njoftojë se përdorimi i ilaçit të njohur Tylenol (i prodhuar nga kompania Kenvue) gjatë shtatzënisë mund të jetë i lidhur me zhvillimin e autizmit tek fëmijët, shkruan Reuters.
Ky pretendim vjen në kundërshtim të drejtpërdrejtë me udhëzimet aktuale mjekësore, të cilat e konsiderojnë Tylenol-in si një alternativë të sigurt kundër dhimbjeve për gratë shtatzëna.
Sipas burimeve të WSJ, Kennedy do të sugjerojë gjithashtu se një formë e veçantë e acidit folik, mund të ndihmojë në trajtimin e simptomave të autizmit tek disa persona.
Deklarata e paralajmëruar ka ngjallur menjëherë reagime të shumta, ndërsa pritet që komuniteti shkencor dhe agjencitë shëndetësore të reagojnë zyrtarisht mbi këto pretendime të ndjeshme. Ende nuk ka një konfirmim zyrtar nga FDA apo Kenvue lidhur me këto akuza.
