Produktet “Made in Albania”! Kroacia e Bosnja refuzoi pjeshkët, Sllovenia bllokon specat e kuq: Mos i konsumoni

FOTO ILUSTRUESE

SLLOVENI- Shqipëria po përballet me një situatë shqetësuese në fushën e sigurisë ushqimore. Pas pjeshkëve të asgjësuara në Kroaci dhe Bosnje Hercegovinë edhe specat e kuq i janë shtuar listës.  Kompania ‘Geaprodukt d.o.o’ në Slloveni ka njoftuar tërheqjen nga tregu të specave të kuq djegës me origjinë nga Shqipëria, pasi analiza kanë treguar praninë e tepruar të pesticideve acetamiprid, formetanat dhe flonikamid.
Produkti është furnizuar gjatë periudhës 24 gusht-4 shtator 2025. Specat fillimisht ishin paketuar në një kuti kartoni dhe më pas në qese plastike. Kompania u kërkon klientëve ta kthejnë produktin në vendin e blerjes. Për shkak të pesticideve të tepërta, produkti nuk duhet të konsumohet. Kompania ka paralajmëruar konsumatorët që mund të kenë konsumuar ose pasur kontakt me specat, të lajnë mirë duart dhe nëse ndiejnë probleme me tretjen apo të përziera, të kërkojnë menjëherë ndihmë mjekësore.
Specat e kuq janë refuzuar më herët edhe nga Kroacia, ku në prill të këtij viti, sistemi i alarmeve të shpejta të BE-së ka konstatuar përmbajtje shumë të lartë pesticidesh në produkt të klasifikuara me rrezik të lartë për konsumatorin. Ndërkohë kujtojmë se një sasi prej 5.562 kg pjeshkë me origjinë nga Shqipëria, u refuzuar sërish në Kroaci dhe Bosnjë Hercegovinë për shkak të nivelit të lartë të nikelit, përtej normave të lejuara nga BE.

Konkretisht, në Bosnjë u gjetën nivele të rritura të klorpirifos, një pesticid që mund të shkaktojë dëm për shëndetin e njeriut. Ekspertët boshnjakë paralajmëruan kundër konsumimit të pjeshkave nga dërgesa, pasi ato janë tashmë në treg.
Por shqetësimi nuk ndalet vetëm tek eksportet!
Disa muaj më parë qytetarët u alarmuan pasi në tregun shqiptar u shpërndarë fileto pule të importuara nga Brazili, të kontaminuara me salmonelë. Po ashtu një ngarkesë me luleshtrydhe me praninë e pesticidit “Hexythiazox” u fut në vendin tonë nga Greqia./ZËRI