Ministri i Jashtëm belg paralajmëron: Sekuestrimi i aseteve ruse do të shkaktonte një tronditje të tmerrshme në tregjet e aksioneve dhe euron

Ministri i Jashtëm belg Maxime Prevot ka paralajmëruar se sekuestrimi i aseteve të ngrira ruse të mbajtura në Belgjikë do të shkaktonte një “tronditje të tmerrshme sistemike” të aftë të destabilizonte euron.

Një situatë e tillë mund të shkaktojë “një tronditje të tmerrshme sistemike në të gjitha tregjet evropiane të aksioneve, duke e goditur shumë rëndë besueshmërinë e euros”, tha Prevost.

Sekuestrimi i aseteve të Bankës Qendrore Ruse – nga të cilat 210 miliardë janë në Belgjikë, nën kontrollin e institutit financiar Euroclear – po kërkohet nga shumë shtete anëtare të BE-së, kryesisht nga vendet baltike.

Këto vende argumentojnë se këto para mund të përdoren për të financuar mbështetjen e BE-së për Ukrainën , pa asnjë kosto për taksapaguesit evropianë, ndërsa disa vende të tjera me borxhe të mëdha po përpiqen të kursejnë burime.

Gjermania, Franca dhe Banka Qendrore Evropiane nuk pajtohen me këtë propozim, pasi kanë frikë se do të çojë në ikjen e kapitalit dhe destabilizimin e euros.

Sipas Maxime Prevost, do të kishte rrezik që vendet e treta që kanë vendosur miliarda në Evropë t’i tërheqin ato, duke thënë “Nëse është kaq e lehtë të sekuestrohen këto asete nesër (…) atëherë do t’i vendosim diku tjetër”.

27 vendet e Unionit kanë vendosur, për të ndihmuar Ukrainën, të mos përdorin kapitalin, por vetëm interesin mbi asetet ruse, të cilat arrijnë në disa miliardë euro në vit. Komisioni Evropian duhet të paraqesë propozimet e tij për këtë çështje deri në fund të tetorit. “Do të presim dhe do të shohim se çfarë propozohet”, tha Prevot.