Akuzohet se largoi nga vendi i krimit vrasësit e Fatbardh Licit, GJKKO zgjat hetimet për ish-partneren e Safet Bajrit

Eria Ago dhe Safet Bajri

TIRANË- Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka vendosur zgjatjen e afatit hetimor me 3 muaj për Eria Ago, ish-partnerja e Safet Bajrit, pasi sipas prokurorëve të posaçëm ajo ka pasur një rol kyç në vrasjen e Fatbardh Licit në vitin 2018 në Kiras, Shkodër. Eria Ago dyshohet se përkrahur autorët e krimit si dhe ka ndihmuar për tu larguar nga vendi i ngjarjes një prej autorëve të përfshirë. 
E dashura e Safet Bajrit, Eria Ago ka mohuar akuzat e ngritura ndaj saj, duke thënë se nuk ka dijeni në lidhje me ngjarjen e ndodhur më 10 gusht 2018 në Shkodër, ku u vra Fatbardh Lici. Ago ka deklaruar se gjatë kohës që ka ndodhur ngjarja, vrasja e Fatbardh Lici, ka qenë në Tiranë dhe se nuk ka qenë në Shkodër, si dhe se nuk e ka përdorur asnjëherë makinën e shtetasit Astmer Bilali.
Miirëpo, sipas dosjes së SPAK siguruar nga ZËRI, rezulton e kundërta. Eria Ago akuzohet se ka transportuar nga Shkodra në Tiranë, Asmer Bilalin. Më 10 gusht të vitit 2018, Eria ka qenë në timonin e mjetit dhe ka ndihmuar në arratisjen e Astmer Bilalit, duke e sjellë nga Shkodra në Tiranë. 

Ish-missi Ago është arrestuar më datë 26 shkurt, pasi Prokuroria e Posaçme e akuzon për “përkrahje të autorëve të krimit”, ndërkohë që më 21 shkurt të këtij viti Safet Bajri u arrestua nga SPAK, me akuzën se në bashkëpunim me Asmer Bilalin dhe kushëririn e tij të parë Behar Bajrin, se kanë organizuar dhe kanë kryer vrasjen e Licit, vëllait të Mustafa Licit dhe xhaxhait të Ibrahim, Muhamet dhe Hamza Licit.
Vrasja e Fatbardh Licit ndodhi më 10 Gusht 2018 teksa ai ishte duke pirë kafe në një lokal në lagjen Kiras në Shkodër. Dy persona iu afruan, njëri prej tyre doli nga makina tip “Mercedez Benz” duke qëlluar me breshëri kallashnikovi në drejtim të Fatbardh Licit. Fatbardh Lici është xhaxhai i Muhamet, Ibrahim dhe të ndjerit Hamza Lici, i cili u vra pak muaj më parë në hyrje të lagjes Dobraç, zonë e njohur si territor i Bajrave.

Të akuzuar për vrasjen e Fatbardh Licit janë Safet Bajri, kushëriri i tij Behar Bajri dhe Astmer Bilali, këto të fundit janë të arrestuar dhe në kuadër të një tjetër dosje penale.
Për të tre rëndojnë veprat penale: “vrasje me paramendim” kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal në dëm të viktimës F.L, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”./ZËRI