Kristian Kola
SHKODËR-Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Shkodrës mbrëmjen e djeshme (4 shtator). Kristian Kola. 34 vjeç është ekzekutuar me armë zjarri teksa ishte duke pirë kafe në mes të qytetit, në një lokal te ‘Kinema Republika’.
Vrasja ndodhi rreth orës 22:30, dy autorë me motor dhe skafanda në kokë kanë qëlluar në drejtim të tij duke e lënë të vdekur në vend. Shërbimet e Policisë kanë ngritur pika kontrolli në dalje të qytetit për kapjen e autorëve të vrasjes.
Kamerat e sigurisë në zonë pritet të ndihmojnë grupin hetimor për të zbardhur dinamikën e plotë dhe për të rënë në gjurmët e autorëve. Në pyetje janë marrë edhe dëshmitarët që kanë qenë brenda në lokal në momentin e atentatit.
Njoftimi i policisë:
Informacion paraprak Rreth orës 22:30, në lagjen “Vasil Shanto”, në rrethana ende të paqarta, dy shtetas ende të paidentifikuar dyshohet se kanë vrarë me armë zjarri shtetasin K. K., 34 vjeç, i cili ishte në ambientet e jashtme të një lokali.
Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, janë ngritur pika kontrolli në dalje të qytetit dhe vijojnë kontrollet në zonë e në ambiente të ndryshme, për kapjen e autorëve.
Ndërkohë, është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon intensivisht për sqarimin e rrethanave, dokumentimin ligjor, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorëve./ZËRI
