Projekti, BQE: Euroja digjitale do të jetë ‘fitimprurëse’ për ofruesit e shërbimeve të pagesave

Komisioni i BE-së vlerëson se projekti, do të kushtojë midis 2.8 dhe 5.4 miliardë euro për të zbatuar euron digjtale në të gjithë zonën e euros.

Nëse lançohet, euro digjitale do të jetë “fitimprurëse” për ofruesit e shërbimeve të pagesave, siguroi të enjten eurodeputetët Piero Cipollone, një anëtar i bordit ekzekutiv të Bankës Qendrore Evropiane (BQE).

 “Nuk kemi përshtypjen se ky projekt do të sjellë humbje. Mendoj se ky është një supozim që duhet të vërtetohet”, u tha Cipollone anëtarëve të komitetit të çështjeve ekonomike të Parlamentit Europian në Bruksel.

“Për aq sa dimë, përvetësimi i euros digjitale nuk do të jetë aq i madh sa të vërë në rrezik stabilitetin financiar, por do të jetë i mjaftueshëm për t’i dhënë një sinjal bankës qendrore që të paguajë për infrastrukturën dhe të kompensojë aktorin kryesor për investimin”, shtoi ai.

Sipas vlerësimeve të Komisionit, integrimi i euros digjitale në sistemin e eurozonës do të kushtonte midis 2.8 dhe 5.4 miliardë euro. “Kemi parë shifra që janë gjashtë, dhjetë herë më të larta se kaq. Besueshmëria e këtij numri mund të vihet në dyshim, për të mos thënë më shumë”, paralajmëroi Cipollone.

Si para publike, euro digjitale do të ishte e lirë për t’u përdorur dhe e pranuar kudo, por për ta bërë të vlefshme shpërndarjen e saj për bankat dhe ofruesit e tjerë, Eurosistemi po propozon gjithashtu një model kompensimi, i hartuar për të mbuluar kostot e tyre dhe për të mbajtur stimujt të drejtë.

BQE-ja po finalizon aktualisht fazën përgatitore për lançimin e mundshëm të një Monedhe Digjitale tw Bankws Qendrore (CBDC) me pakicë, e cila synon të plotësojë paratë e gatshme. Por, përpara se të vendosin nëse do të lëshojnë euron digjitale, shtetet anëtare dhe Parlamenti Europian duhet të bien dakord për kuadrin e saj legjislativ.

Për momentin, Parlamenti është në një bllokim. Vizita e Cipollone ishte e pesta nga 14 shkëmbimet e planifikuara me komitetin ekonomik, që kur Komisioni paraqiti propozimin e tij në qershor 2023.

Më 9 shkurt 2024, raportuesi i atëhershëm Stefan Berger (Gjermania/Partia Popullore Evropiane) prezantoi draft-raportin e tij. Që atëherë, nuk është zhvilluar asnjë votim dhe në dhjetor 2024, Berger dha dorëheqjen si eurodeputet kryesor për dosjen.

Ai u pasua nga eurodeputeti spanjoll i Partisë Popullore Europiane, Fernando Navarrete, i cili kohët e fundit publikoi një dokument prej 27 faqesh me titull “A kemi vërtet nevojë për euron dixhitale: një zgjidhje për cilin problem saktësisht?”.

Në dokument, Navarrete, një ekonomist shtetëror, argumenton se euro dixhitale nuk është përgjigjja për probleme të tilla si varësia e bllokut nga ofruesit e pagesave jo-evropiane si Visa dhe Mastercard.

“Mungesa e CBDC-ve me pakicë plotësisht funksionale në ekonomitë e tjera kryesore nuk pasqyron mungesë të aftësisë teknike. Përkundrazi, ajo dëshmon një kujdes kolektiv të rrënjosur në vlerësime të matura të implikimeve sistemike”, shkroi ai, duke përmendur rreziqet për stabilitetin financiar, kërkesën e ulët të konsumatorit dhe rezultatet e pasigurta të raportit kosto-përfitim si arsye pse juridiksione të tjera kanë braktisur, shtyrë ose shmangur projekte të tilla.

Në vend të kësaj, eurodeputeti spanjoll bën thirrje për përqendrim në një CBDC me shumicë, duke argumentuar se rrethanat kanë ndryshuar që kur projekti me pakicë u propozua për herë të parë. Ai gjithashtu argumenton se roli i BQE-së duhet të “evoluojë drejt atij të një mundësuesi neutral”.

BQE: Paraja ka nevojë për një kopje rezervë digjitale

BQE-ja po paralajmëron se Evropa duhet të ecë më shpejt drejt euros dixhitale, pasi njerëzit po largohen gjithnjë e më shumë nga paratë e gatshme.

“Sot, paratë e gatshme janë e vetmja zgjidhje rezervë e vërtetë, por ndërsa shoqëria po largohet gjithnjë e më shumë prej tyre, ne duhet ta plotësojmë atë me një version digjital”, u tha eurodeputetëve të enjten anëtari i bordit të BQE-së, Piero Cipollone.

Pagesat me para në dorë në zonën e euros kanë rënë ndjeshëm vetëm në pesë vjet — nga 68% në 40% të të gjitha transaksioneve dhe nga 40% në vetëm 24% të vlerës së tyre.

Cipollone argumentoi se një euro digjitale mund të veprojë si një rrjet sigurie gjatë krizave, duke u dhënë qytetarëve një alternativë të besueshme publike nëse sistemet private dështojnë. Në një botë me tensione gjeopolitike në rritje dhe sulme kibernetike të sofistikuara, tha ai, mbështetja është thelbësore.

 “Kur shërbimet kritike ndërpriten, qytetet presin që autoritetet publike të sigurojnë vazhdimësinë”, tha ai. “Shërbimet e pagesave nuk janë luks — ato janë po aq thelbësore sa energjia elektrike ose uji i pastër për jetën e përditshme të qytetarëve tanë.”

Bisedimet midis ministrave të financave të BE-së po marrin gjithashtu ritëm, me presidencën daneze që synon një qëndrim të përbashkët deri në fund të vitit 2025. Por rruga përpara është e vështirë.

Disa qeveri thonë se nevojitet më shumë punë teknike përpara se të jepet drita jeshile. “Duhet të gjejmë një model kompensimi të drejtë dhe kushte të mira shpërndarjeje për bankat dhe, sigurisht, duhet t’u ofrojmë qytetarëve një nivel të lartë mbrojtjeje të privatësisë që nga dita e parë”, tha Lars Klingbeil i Gjermanisë në korrik.

Privatësia, kompensimi bankar dhe shpërndarja nuk janë të vetmet pika ngërçi. Ministrat janë gjithashtu të ndarë në mendime rreth ndikimit në vendet jo-euro, kufizimeve mbi sasinë e euros digjitale që qytetarët mund të mbajnë dhe madje edhe se kush duhet të ketë fjalën e fundit nëse projekti do të nisë fare./ Euronews.