Hidhnin në makina më pak benzinë nga se tregonte pompa e karburantit. 22 të arrestuar në Greqi, kontrabanda vinte nga Rumania e Bullgaria

Një rrjet i sofistikuar kontrabande karburanti është zbuluar dhe shkatërruar nga autoritetet greke, pas një operacioni të gjerë policor që çoi në arrestimin e 22 personave.

Sipas informacioneve zyrtare, grupi kriminal importonte karburant të falsifikuar nga Rumania e Bullgaria dhe e shpërndante atë nëpër pika karburanti të kontrolluara prej tyre në Greqi.

 

Policia greke zbuloi një zonë magazinimi në Sindos, ku bëhej transferimi dhe manipulimi i karburantit.

 

Dyshohet se rrjeti përdorte tretës kimikë, të sjellë kryesisht nga Rumania dhe Bullgaria, për të përzier karburantin, i cili më pas shitej në treg si produkt i rregullt.

 

Gjithashtu, hetimet zbuluan manipulime të sofistikuara në disa pompa karburanti, ku përmes softuerëve të modifikuar, sasia reale e karburantit që hidhej në automjete ishte më e vogël nga ajo që shënohej në pompat e furnizimit. Kjo skemë mashtruese u përdor për të fituar në mënyrë të paligjshme nga klientët e painformuar.

 

Nga 22 arrestimet e kryera:

 

13 janë në rajonin e Atikës (Athinë),

 

3 në Selanik,

 

2 në Trikala,

 

2 në Igumenicë,

 

1 në Volos,

 

1 në Spartë.

 

Gjatë operacionit, policia konfiskoi qindra mijëra euro cash, të dyshuara si fitime të përfituara nga aktivitetet kriminale.

 

Të arrestuarit pritet të përballen me akuza për:

 

Kontrabandë karburanti,

 

Evazion fiskal,

 

Mashtrim konsumatorësh,

 

Manipulim të sistemeve të matjes në pompat e karburantit.

 

Hetimet janë ende në vijim, ndërsa autoritetet po përpiqen të identifikojnë të gjithë rrjetin dhe rrugët e shpërndarjes së karburantit ‘mashtrues’ në territorin grek.