Nderimet për regjisorin- I jepet lamtumira Dhimitër Anagnostit, 2 shtatori shpallet ditë zie kombëtare

Dhimitër Anagnosti

TIRANË-Sot i jepet lamtumira e fundit regjisorit Dhimitër Anagnosti. Ai do të përcillet për në banesën e fundit, në Vuno të Himarës, vendlindjen e tij. Homazhet në nder të regjisorit të shquar Dhimitër Anagnosti do të zhvillohen sot, 2 shtator, në Hollin e Teatrit të Operës dhe Baletit, nga ora 10:00 deri në 13:00. Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit informoi se ceremonia do të ketë karakter shtetëror dhe do të jetë e hapur për publikun.
Data 2 shtator është shpallur ditë zie kombëtare në nderim të Dhimitër Anagnostit, regjisorit të madh që u nda nga jeta në moshën 89-vjeçare.

Regjisori i njohur, Dhimitër Anagnosti u nda nga jeta ditën e djeshme (1 shtator) në moshën 89-vjeçare. Lajmin e trishtë e bëri me dije vajza e tij, Juna Anagnosti përmes një postimi në rrjete sociale. 

Kush ishte Dhimitër Anagnosti
Në karrierën e tij 40-vjeçare ka realizuar 14 filma artistikë, 10 filma dokumentarë, fitoi mjaft çmime në konkurse të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare. Është autor i 15 skenarëve dhe pothuajse në të gjithë filmat e tij skenarin e ka shkruar vetë. 
Shkollën fillore e kreu në fshatin e lindjes dhe shkollën unike dhe të mesme të përgjithshme i kreu në Vlorë. Më 1954 – 1960 ndoqi Institutin Kinematografik “VGIK” të Moskës, ku u diplomua për kinooperator. Së bashku me Viktor Gjikën xhiruan si punë diplome filmin “Njeriu kurrë nuk vdes”, një ekranizim i tregimit të Ernest Heminguejt, i cili u vlerësua me Çmimin e Parë në Festivalin Botëror të Shkollave Kinematografike, që u zhvillua në Holandë më 1961.
Filloi punë si operator në Kinostudion “Shqipëria e re” në 1961, me filmin “Debatik” (1961) e më pas me filmin “Toka jonë” (1964). Xhiroi edhe të parin film dokumentar me ngjyra “Gurët dekorativë”. Filmin e parë si regjisor e realizoi në vitin 1966, së bashku me Viktor Gjikën, “Komisari i dritës” dhe një vit më vonë i vetëm si regjisor filmin “Dueli i heshtur”.
Për cilësitë e tij të rralla artistike, si dhe për veprat e tij dinjitoze është nderuar me titullin “Artist i Popullit”, 1987 dhe me kupën e karrierës në Festivalin e 10të Filmit Shqiptar. Viti 1991 e gjen të impenjuar në lëvizjen demokratike për pluralizmin në Shqipëri, motiv për të cilin zgjidhet edhe deputet i Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë (1991-1996). Në 12 prill 1992 u emërua ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, post të cilin e mbajti deri në 4 dhjetor 1994, ku dha dorëheqjen.
Anagnosti ishte ideator dhe kryetar i Fondacionit për Artin dhe Kulturën “Fan Noli”, duke mbështetur intelektualët më aktivë, duke u impenjuar në forcimin e kulturës shqiptare në vend e në botë.
Anagnosti ishte i martuar me aktoren e mirënjohur të skenës dhe ekranit shqiptar, “Artisten e Merituar” Roza Anagnosti./ZËRI