Ekspertja e integrimit dhe drejtuese e Departamentit të Politikës së Jashtme në PD, Ilda Zhulali ishte në studion e Syri Tv për të komentuar prezencën e kryeministrit Edi Rama sot në forumin e Bledit në Slloveni.
Zhulali tha se Rama e përdori forumin për të bërë teatër pasi nuk di çfarë të japë, sepse nuk di të zhvillojë zgjedhje të lira e të ndershme ndërsa ka çuar ekonominë në drejtim të paditur
“Një kryeministër serioz i një vendi që aspiron të bëhet vend anëtar i BE-së duhej të ishte me një bilanc pune, por Rama nuk mund ta bënte, përsa kohë shkon atje si kryeministër që nuk di të zhvillojë zgjedhje të lira e të ndershme
Ai e përdori dhe një herë këtë forum për të bërë teatër me batutat e tij. Sepse nuk ka çfarë të japë Europës leksione gjeostrategjike një kryeministër që ka çuar ekonominë në drejtim të paditur, aq sa BE kërkon me këmbëngulje të ndryshojë modelin ekonomik. Me fonde të BE-së të abuzuara për shkak të një pusete të madhe korrupsioni e krimi që ka ngritur në Shqipëri. Ai i paraqiti shqiptarët si një popull që është gati ti nënshtrohet cilësdo perandori”, tha Zhulali në një intervistë për Syri Tv në studio me gazetaren Armela Ferko.
Ndërkohë nga forumi strategjik i Bledit në Slloveni, Komisionerja për zgjerimin Marta Kos, i ngriu buzëqeshjen kryeministrit Edi Rama teksa deklaroi se nuk do të ketë rrugë të shkurtra për në Bashkimin Europian dhe udhëheqësit duhet të vendosin reformat mbi punët e perditshme.
