Malltezi: Miku i huaj vlerëson rrugën tonë, por ecën në tjetrën. ‘Kukulla’ e Sorosit vetëposhtërohet

Në një reagim të fortë në rrjetet sociale, drejtuesi i departamentit të Mjedisit në PD, Jamarbër Malltezi ka sulmuar Edi Ramën dhe propagandën e tij për integrimin e Shqipërisë në BE.

Me një postim në Facebook, Malltezi shkruan se, retorika mashtruese vazhdon, ndërsa Shqipëria është i vetmi vend që nuk përfidon nga fondet e Bashkimit Europian, duke ironizuar deklaratat zyrtare të përfaqësuesve ndërkombëtarë dhe duke denoncuar dështimet e rënda në menaxhimin e fondeve të huaja.

Në reagimin e tij, Malltezi rikujton retorikën e njohur të viteve ’80 me batutën ironike të të atit:

‘Miku i huaj vlerësoi lart rrugën e ndjekur nga partia dhe populli shqiptar, – duke shtuar, – çudi e madhe, vlerëson shumë rrugën tonë, por për vete ecën nga rruga tjetër’.

Ai rendit disa prej skandaleve më të bujshme që, sipas tij, kanë ndikuar drejtpërdrejt në ndërprerjen e mbështetjes nga BE:

Hedhja në kosh e strategjisë për menaxhimin e mbetjeve, ndonëse ishte hartuar me 4 milion euro nga BE.

Afera e inceneratorëve, ku pretendohet se janë vjedhur 400 milion euro për projekte që nuk ekzistojnë.

Keqpërdorimi i fondeve IPARD, që çoi në anulimin e të gjitha fondeve të BE për fermerët shqiptarë.

Sipas Malltezit, Shqipëria është aktualisht i vetmi vend në rajon që nuk përfiton asnjë cent nga fondet europiane, një fakt që ai e cilëson skandaloz dhe pasojë direkte e korrupsionit dhe abuzimit nga qeveria.

Në fund të reagimit, Jamarbër Malltezi kritikon edhe përfaqësuesen e BE në Shqipëri, Marta Kos, duke e quajtur ‘kukull e Soros’ dhe duke e akuzuar për ‘vetëposhtërim’ përmes deklaratave që, sipas tij, injorojnë realitetin në terren.