Shumë njerëz e nisin ditën me një filxhan kafe, por një studim i fundit paralajmëron se kjo pije e preferuar mund të ndikojë negativisht në trajtimin me antibiotikë.
Sipas hulumtimit të botuar në revistën Plos Biology nga shkencëtarë gjermanë dhe suedezë, kafeina dobëson efektet e ciprofloksacinës, një antibiotik i përdorur gjerësisht kundër infeksioneve serioze si bronkiti dhe infeksionet e traktit urinar.
Studiuesit testuan 94 substanca në bakteret E. coli dhe zbuluan se kafeina kishte ndikimin më të fortë, duke bërë që bakteret të përthithnin më pak antibiotikë. “Kafeina shkakton një sërë ngjarjesh që çojnë në uljen e efektivitetit të trajtimit”, tha Ana Rita Brochado, bashkautore e studimit nga Universiteti i Tübingenit. Mekanizmi lidhet me një proteinë të quajtur Rob, e cila ndikon në reagimin e baktereve ndaj ilaçeve.
Megjithatë, ekspertët theksojnë se këto janë ende eksperimente laboratorike dhe nuk dihet saktësisht se sa filxhanë kafe mund të shkaktojnë këtë efekt tek njerëzit. Prandaj, kërkime të mëtejshme janë të nevojshme për të përcaktuar shkallën e rrezikut.
Ky nuk është rasti i vetëm i ndërveprimit mes kafeinës dhe barnave. Studime të tjera kanë treguar se kafeja mund të ulë efektivitetin e disa ilaçeve kundër depresionit, hipertensionit, astmës dhe madje edhe suplementeve të hekurit. Specialistët rekomandojnë që personat që ndjekin terapi të caktuara të jenë të kujdesshëm dhe të konsultohen me mjekun përpara se të konsumojnë kafe në mënyrë të rregullt gjatë trajtimit.
