FOTO ILUSTRUESE
TIRANË-Sot në GJKKO është zhvilluar seanca për punonjësit e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) të përfshirë në rastin e marrjes së 1 mijë eurove ryshfet për të mos hequr tendën e një lokali në Kombinat. Inspektori Gerald Fuçia, Edmond Çela dhe Klajdi Zhilla, të akuzuar për “Korrupsion aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorim detyre“, janë njohur me masat e sigurisë.
Në burg është lënë Geraldo Fuçia, i cili akuzohet si personi që i kërkoi paratë pronarit të subjektit. Para togave të zeza, ai ka pretenduar se nuk ka kryer asnjë veprim dhe se takimin dhe marrjen e parave e ka bërë kolegu i tij Klajdi Zhilla, i cili u vetëdorëzua në Polici pas shpalljes në kërkim prej 3 ditësh.
“Nuk e njoh fare qytetarin, as e kam kontaktuar, as takuar, as nuk di gjë për rryshfetin. Deklaroj me përgjegjësi morale dhe ligjore se nuk kam lidhje me këtë histori. Unë e ushtroj detyrën me seriozitet dhe profesionalizëm, si në dhjetëra raste të tjera të aksionit për lirimin e hapësirave publike.”, ka deklaruar inspektori Gerald Fuçia.
Avokatët e tij kërkuan një masë më të butë sigurie deri në qartësimin e situatës dhe rrethanave. Ndërkohë masa për Klajdi Zhillen do të zhvillohet në një seancë tjetër Ky i fundit është vetëdorëzuar mbrëmë në policinë e Tiranës. Dy të tjerët, një inspektor dhe menaxheri i lokalit, i cili dyshohet se ka ndihmuar në fshehjen e parave, po hetohen në gjendje të lirë.
Rasti u zbulua pas një denoncimi nga pronari i një objekti në zonën e Kombinatit, ku ishte konstatuar një tendë pa leje. Sipas hetimeve, pas procedurës fillestare, një nga punonjësit i ka kërkuar pronarit 1 mijë euro ryshfet për të mos prishur tendën. Paratë iu dorëzuan Klajdi Zhillës, ndërsa 3 kolegët e tjerë e prisnin brenda një lokali në afërsi të objektit.
Zyrtarët u arrestuan në lokalin e ish-deputetit Mark Frroku, në Kombinat në kuadër të operacionit të SPAK më 27 gusht, ndërsa në kërkim janë shpallur Klajdi Zhilla, shoferi i drejtorit të IMT-së së Tiranës dhe një tjetër. Gjatë kontrollit u gjetën dhe u sekuestruan 3000 euro dhe 27 000 lekë që dyshohet se janë përfituar nga korrupsioni, të cilat i kishin fshehur në një gotë kafeje. Po ashtu një automjet tip “Audi A6“ si dhe 4 celularë u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Inspektorët janë shkarkuar nga detyra menjëherë pas finalizimit të operacionit policor./ZËRI
