Në kërkim nga SPAK! Vetëdorëzohet në Polici, shoferi i drejtorit të IMT-së: E mësova nga media

FOTO ILUSTRUESE

TIRANË-Klajdi Zhilla, shoferi i drejtorit të IMT-së Tiranë i shpallur në kërkim nga SPAK, është vetëdorëzuar në Polici. Mësohet se ai është paraqitur në polici ditën e djeshme i shoqëruar nga avokati Andi Skënderi. Zhilla ka pretenduar se është vënë në dijeni nga media se ishte në kërkim dhe është vetëdorëzuar për të sqaruar pozicionin e tij.
Njoftimi i policisë:
Në vijim të operacionit policor të koduar “Hapësira publike”, specialistët e Sektorit për Hetimin e Korrupsionit në Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare bënë ndalimin e shtetasit K. Zh., 35 vjeç, banues në Tiranë, inspektor i IMT, bashkia Tiranë, i cili u vetëdorëzua në Policinë e Tiranës.
Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim, në kuadër të operacionit “Hapësira publike”, për veprat penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, të kryera në bashkëpunim.
Materialet procedurale u referuan për veprime të mëtejshme në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Zhilla ishte shpallur në kërkim në kuadër të operacionit të zhvilluar më 27 gusht, ku në pranga u vendosën, inspektori Gerald Fuçia dhe Edmond Çela, të akuzuar për “Korrupsion aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorim detyre“.
Ai rezulton i përfshirë në një rast ryshfeti në Tiranë, ku konkretisht i kanë kërkuar pronarit 1 mijë euro ryshfet për të mos prishur tendën. Paratë iu dorëzuan Klajdi Zhillës, ndërsa 3 kolegët e tjerë e prisnin brenda një lokali në afërsi të objektit./ZËRI