‘Pse Thethi e jo Jugu’! Rama ndan pamje nga shembja e resortit të ish-kreut të IMT Durrës: Mori peng territorin

Edi Rama dhe Ardian Halili

TIRANË-Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas arretimit të ish-kreut të IMT Durrës Ardian Halili, nën akuzën për ndërtim të paligjshëm. 55-vjeçari akuzohet se në vitin 2017 ka ngritur një resort pa leje në zonën e Shetajt, Ishëm, gjatë kohës që ishte në detyrë. Ndërsa autoritetet e zbuluan paligjshmërinë këtë gusht të 2025-ës.
Rama teksa ka ndarë pamjet nga shpërthimi me tritol i resortit ‘Saint Michelle Residence’, shprehet se u vendos rendi ligjor për një abuzues që kishte marrë peng territorin, dhe që tashmë i është dorëzuar drejtësisë. 
Edi Rama: Ca zëra në nisje të kësaj kthese të re thoshin “po pse Thethi e jo Jugu, po pse ashtu e jo kështu”, ndërkohë puna për mbrojtjen e vendit nga abuzuesit vazhdon në Veri, Jug dhe Shqipërinë e Mesme, ku konkretisht në Durrës është vendosur rendi ligjor mbi një territor të marrë peng nga një abuzues, i cili është ndaluar nga Policia e Shtetit e i është dorëzuar drejtësisë edhe si ish-drejtues i inspektorëve të Durrësit.

Resorti u shemb me shpërthim të kontrolluar, ku forcat xheniere realizuan shembjen e godinës 2-katëshe të resortit, ndërsa objektet e tjera më të vogla u shembën me fadromë.  ‘Saint Michelle Residence’ u ndërtua pa leje në një sipërfaqe prej 5600 m2, ku përfshiheshin dhoma hoteli, 11 garsionere, pishinë, një ambient sportiv dhe një restorant, u ndërtua nga viti 2018 e në vazhdim, periudhë gjatë së cilës Halili ishte në krye të IMT-së deri në 2021. Ndërtimet vijuan dhe pas ikjes së tij nga ky post. Halili është bashkëshorti i ish-prokurores së Durrësit, Rabiana Halili, e cila dha dorëheqjen gjatë procesit të Vetting-ut./ZËRI