Danimarka në mes të një shpërthimi gripi ‘shumë të pazakontë’, një festival muzikor është fajtori

Danimarka po përjeton një shpërthim të pazakontë të gripit në mes të verës, i cili, sipas autoriteteve shëndetësore, lidhet me një festival muzikor. Instituti Statens Serum (SSI) raportoi se nga 11 deri më 17 gusht u regjistruan 115 raste të gripit, një rritje e ndjeshme krahasuar me vetëm 19 raste një javë më parë.

SSI theksoi se kjo është hera e parë në 15 vite monitorimi që shfaqet një shpërthim i madh gripi në muajin gusht. “Koha është shumë e pazakontë,” deklaroi Ramona Trebbien, menaxhere e seksionit të institutit.

Shpërthimi lidhet me festivalin Smukfest, i zhvilluar në Skanderborg në fillim të gushtit, ku morën pjesë rreth 60 mijë persona. Pjesëmarrësit e prekur nga gripi kishin të gjithë variantin A H1N1, i njohur si gripi i derrit, ndërsa rastet e tjera të izoluara kishin burim të ndryshëm.

“Çdo gjë tregon se shpërthimi është i lidhur me Smukfest,” tha Trebbien.

Ekspertët kujtojnë se shumica e të prekurve shërohen brenda një jave, por fëmijët e vegjël, gratë shtatzëna, të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike rrezikojnë ndërlikime serioze.

Numri i rasteve të reja ka nisur të ngadalësohet javën e fundit, por SSI paralajmëron se ngjarjet e mëdha mund të shërbejnë si “super-përhapëse” në rrethana të caktuara.