Tregtonte mallra kontrabandë, bie në pranga 49-vjeçarja në Sarandë

Një 49-vjeçare është arrestuar në Sarandë, pasi akuzohet për kontrabandë mallrash.

Në pranga është vënë shtetasja me inicialet S. K., për veprat penale “Kontrabanda me mallra që paguhet akcizë”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë” dhe “Fshehja e të ardhurave”.

Policia e Vlorës sekuestroi një sasi të konsiderueshme mallrash, konkretisht: 402 copë produkte kozmetike, 195 paketime kafe, si dhe produkte të tjera të dyshuara kontrabandë.

Njoftimi i Policisë së Shtetit:

Në vijim të kontrolleve të vazhdueshme, të bazuara edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare në DVP Vlorë, gjatë një kontrolli në një subjekt tregtar të tipit market, në Sarandë, konstatoi mallra kontrabandë, në shkelje të legjislacionit tatimor dhe doganor dhe, si rezultat, u arrestua në flagrancë shtetasja: S. K., 49 vjeçe, banuese në Sarandë, administratore e subjektit tregtar, për veprat penale “Kontrabanda me mallra që paguhet akcizë”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë” dhe “Fshehja e të ardhurave”.

Në përfundim, u bë sekuestrimi i një sasie të konsiderueshme mallrash të dyshuara kontrabandë dhe mallrash për të cilat paguhet akcizë, të cilat nuk ishin të shoqëruara me dokumentacion përkatës blerjeje, dhe konkretisht:
402 copë produkte kozmetike;
195 paketime kafe;
dhe produkte të tjera të dyshuara kontrabandë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.