Pakot e vogla që hyjnë në SHBA nga sot do t’i nënshtrohen tarifave, përjashtim bëjnë ‘dhuratat’ nën 100 euro

Përjashtimi nga tarifat për pakot e vogla që hynin në Shtetet e Bashkuara skadoi sot, një vendim që bëri që shumë vende të pezullonin dërgesat e pakove në ekonominë më të madhe në botë. Më parë pakot me vlerë më pak se 800 dollarë lejohenin të dërgoheshin në Shtetet e Bashkuara pa iu nënshtruar tarifave pas hyrjes.

Megjithatë, më 30 korrik, Presidenti i SHBA-së Donald Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv për t’i dhënë fund këtij përjashtimi, duke thënë se donte “t’i jepte fund një boshllëku shkatërrues që përdoret, ndër të tjera, për të shmangur tarifat dhe për të dërguar opioide sintetike dhe produkte të tjera të rrezikshme”.

Vetëm “dhuratat” e destinuara për individë me një vlerë më të vogël se 100 dollarë do të jenë ende në gjendje të hyjnë në SHBA pa iu nënshtruar detyrimeve. Sipas Shërbimit të Mbrojtjes së Kufijve të SHBA-së (CBP), pakot e vogla përbënin 98% të barnave, 97% të produkteve të falsifikuara dhe 70% të produkteve të rrezikshme për shëndetin të sekuestruara në SHBA në vitin 2024.

“Nëse ky boshllëk ligjor mbyllet, mijëra jetë do të shpëtohen duke zvogëluar fluksin e drogës dhe substancave të rrezikshme dhe të ndaluara”, siguroi një zyrtar amerikan gjatë një konference për shtyp.

Tani, dhe me përjashtim të “dhuratave” me vlerë më pak se 100 dollarë, pakot që hyjnë në SHBA i nënshtrohen të njëjtave tarifa si çdo produkt tjetër, përkatësisht një minimum prej 10%, ose 15% për ato me origjinë nga BE dhe deri në 50% për ato nga India dhe Brazili.

Edhe para se të hynte në fuqi, masa kishte filluar të shkaktonte probleme për dërgimin e pakove në SHBA. Të martën, Unioni Postar Universal (UPU), një agjenci e OKB-së, njoftoi se 25 vende kanë vendosur të pezullojnë dërgesat e pakove në Shtetet e Bashkuara për shkak të kuadrit të paqartë.

Midis këtyre vendeve janë shumë vende evropiane, si Gjermania, Franca ose Italia, por edhe India, Japonia, Australia dhe Meksika. Arsyeja e përmendur është periudha e shkurtër kohore e dhënë para se masa të hynte në fuqi, ndërsa urdhri i Trump përcakton se u takon “transportuesve dhe palëve të tjera të autorizuara të mbledhin paraprakisht detyrimet doganore nga dërguesit” përpara se t’ua paguajnë ato autoriteteve amerikane, sipas UPU-së.