Miliona € të humbura! TXEX &XEUX-platformat piramidale joshin shqiptarët, nis hetimi

TIRANË-Platforma të reja online kanë dalë në skenë së fundmi, të cilat kanë si synim zhvatjen e shqiptarëve. TXEX dhe XEUX paraqiten si aplikacion investimi në kriptovaluta, por në fakt është një mashtrim përmes rrjeteve sociale dhe platformave si Telegram, Signal e WhatsApp. Konkretisht 6.000 qytetarë janë prekur deri tani konkretisht në Fier, Lushnjë, Divjakë por edhe Lezhë, me humbje që mendohet se kalojnë 5 milionë dollarë.
Policia e Shtetit ka njoftuar se ka nisur një hetim penal në lidhje me një skemën e dyshuar. Hetimet po zhvillohen nga Drejtoria e Hetimit të Krimit Kibernetik në bashkëpunim me Drejtoria e Hetimit të Krimit Ekonomik dhe Financiar në Policinë e Shtetit. Autoritetet bëjnë thirrje për kujdes maksimal nga ana e qytetarëve, duke u kërkuar që të shmangin aplikimin apo përfshirjen në platforma që premtojnë fitime të menjëhershme, por që nuk janë të verifikuara apo të licencuara.
Por çfarë ka ndodhur dhe si po operojnë këto platforma?
•Reklama joshëse dhe të rreme në rrjete sociale (p.sh. Instagram, TikTok);•Krijimin e grupeve të simuluara komunikimi në Telegram, WhatsApp, Signal;•Prezantimin e fitimeve të fabrikuara për të ndërtuar besueshmëri tek viktimat;•Kërkimin e pagesave shtesë me arsyetimin për “verifikim” apo “tërheqje fondesh”;•Mbledhjen e dokumenteve personale sensitive (ID, foto), duke shtuar rrezikun për keqpërdorim të të dhënave personale.
Duke i parë me radhë, skema nis me reklama joshëse në Instagram dhe TikTok, ku individë anonimë prezantohen si “ekspertë tregu” apo “mentorë financiarë” dhe krijojnë grupe të rreme investimi. Individët ftohen nga “miq” për të investuar shuma të caktuara, me premtimin se do të marrin dyfishin brenda pak ditësh. Paratë dërgohen përmes USDT (monedhë dixhitale që përdoret shumë në platforma të dyshimta për mashtrime sepse është e vështirë të gjurmohet nëse nuk përdoren platformat e rregulluara), në rrjetin TRC20 dhe kalojnë në portofola anonimë, të paregjistruar në sistemin bankar shqiptar.
Pas investimit përdoruesve u jepet akses në një llogari ku shohin fitime të rreme sepse sapo fondet e tyre kalojnë në këtë platformë, ato zhduken dhe në momentin që kërkojnë tërheqje, platforma bllokon çdo veprim. Shqiptarët nxitojnë të fusin kursimet aty, me idenë se do fitojnë dyfish, por në fund nuk marrin asgjë.
Skema duket se po merr përmasa të mëdha, ku “Txex” ka përfshirë 1 mijë persona vetëm në Divjakë. Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe me një denoncim për rastin, u shpreh se fermerët e Divjakës tashmë nuk i presin paratë nga toka, por nga telefoni. Sipas tij rrjeti ecën zinxhir, ku skema e parë të detyron që brenda 45 ditësh t’i të shtosh lekë në një tjetër skemë. 
Njoftimi i policisë:
Strukturat e specializuara të Policisë së Shtetit po vijojnë intensivisht veprimet hetimore dhe operacionale, për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive që zhvillohen online, për të përfituar para nga qytetarët.
Në këtë kuadër, ju informojmë se Policia e Shtetit, nëpërmjet Drejtorisë së Hetimit të Krimit Kibernetik dhe Drejtorisë së Hetimit të Krimit Ekonomik e Financiar, bazuar në informacionet e siguruara, ka nisur një hetim penal lidhur me një skemë të dyshuar investimesh piramidale, nëpërmjet platformave online, dhe po vijon punën intensive për dokumentimin ligjor.
Policia e Shtetit iu bën thirrje të gjithë qytetarëve, që të tregojnë kujdes të shtuar dhe të shmangin aplikimet ose përfshirjen në platforma të tilla, të cilat premtojnë fitime të menjëhershme dhe të paverifikuara.
Për çdo dyshim apo informacion që mund të ndihmojë hetimin, ju inkurajojmë të kontaktoni menjëherë strukturat përkatëse të Policisë së Shtetit, konkretisht ato të Drejtorisë së Hetimit të Krimit Kibernetik dhe të Drejtorisë së Hetimit të Krimit Ekonomik e Financiar në DPPSh, si dhe të sektorëve përkatës në çdo DVP.
Kush fshihet pas tyre, ku e kanë qendrën këto skema dhe si fshihen lekët…mbetet për tu verifikuar.