Marjola Nakoleci
GREQI-Katër fëmijët e 36-vjeçares shqiptare, Marjola Nakoleci, e cila u vra pak ditë më parë nga bashkëshorti i saj, 40-vjeçari Pandeli Nakoleci, do të zhvendosen për të jetuar me tezen e tyre në Skiathos. Mediat greke raportojnë se kujdestaria e katër fëmijëve do t’i jepet motrës së viktimës.
Avokatja e familjes ka raportuar se disa detaje mbeten për t’u përfunduar në procesin e caktimit të kujdestarisë, i cili pritet të formalizohet nesër në mëngjes nga Prokuroria e Shkallës së Parë e Volosit. Shërbimi Social ka dhënë një raport pozitiv, duke vërtetuar se tezja, e cila jeton dhe punon në Skiathos, është e aftë të marrë kujdestarinë. Të katër fëmijët janë dakord të qëndrojnë me tezen e tyre.
Çfarë ndodhi më 22 gusht?
Fillimisht çifti u përfshi në një konflikt të rëndë atë mëngjes, gjë kjo e dëshmuar dhe nga fëmijët e tyre të mitur. Pas këtij konflikti, në gjaknxehtësi e sipër, ka goditur me një mjet prerës bashkëshorten e tij. Ky mjet, përdoret për pjekje dhe imiton përdorimin e thikës.
36-vjeçarja, me aq fuqi sa i kishin mbetur, ka nxituar për të dalë nga shtëpia, duke arritur kështu deri tek hyrja kryesore e pallatit ku ata jetonin. Ka qenë djali i tyre 13-vjeçar, i cili iu hodh në qafë të atit nga pas, në përpjekje për të ndaluar më tej krimin. E pranishme dhe vajza tjetër e çiftit, 16 vjeçe, ajo shkoi pranë së ëmës, e cila dha frymën e fundit në prehrin e së bijës.
Pandeli Nakoleci u kap në rrugën Pagason, në qendër të qytetit, vetëm 200 metra larg banesës ku ndodhi krimi i rëndë. Sipas burimeve nga policia, autori ishte fshehur në një truall toke aty pranë. Mediat greke raportojnë se gjatë arrestimit 40-vjeçari mbante veshur rroba që i gjeti në një kosh plehrash, ndërsa nuk kishte telefon apo ndonjë objekt tjetër me vete./ZËRI
