Koalicion me Berishën dhe kandidat për kryebashkiak? Lapaj: Pse dështova njëherë në dashuri, nuk do të thotë se…

Adriatik Lapaj

TIRANË-Pas vulosjes së mandatit, rruga që do të ndijekë Adriatik Lapaj mbetet e pavendosur. Kreu i “Nisma Shqipëria Bëhet” nuk ka ende një përgjigje definitive përsa i përket një kandidimi të mundshëm të tij për kryebashkiak të Tiranës. Por ndryshe nga përgjigjia e tij për ZËRI më herët, nuk e përjashtoi si mundësi.
“Të gjitha vendimet tona do jenë publike kur të merren. Unë sot nuk kam autorizim nga strukturat për të folur sa kohë nuk është diskutuar e aq më shumë të jetë marrë një vendim. Ajo që mund t’ju them është angazhimi ynë si forca e tretë më e votuar në vend për të bërë çdo gjë për ndryshimin e klasës aktuale politike dhe demokratizimin e vendit,’-u shpreh asakohe për ZËRI.

“Edhe mundet edhe mundet jo ngelet për tu parë”, ishte përgjigja e Lapajt për A2 CNN.
Më tej Lapaj renditi arsyet pse partia që ai drejton do të vijojë të mbetet aktive në jetën politike dhe do të punojë për të siguruar performancë të mirë në zgjedhjet e ardhshme lokale. Ai la të hapur edhe mundësinë e koalicioneve, pavarësisht se tentativa e parë për bashkëpunim me “Nisma Thurje” të Endri Shabanit i rezultoi problematike.
Duke qenë se për PS u ankua se i kishin ofruar pazar dhe me Agron Shehajn e ‘Mundësia’ është në proces gjyqësor, të vetmet parti që i ngelen për koalicion janë PD dhe grupi parlamentar që pritet të krijojë Ilir Meta.
“Ajo që di të them me përgjegjësi të plotë është se ne do të punojmë ditë për ditë deri në zgjedhjet e ardhshme për të performuar sa më shumë. Çdo qytetar që na ndjek besoj është i ndërgjegjshëm se në Shqipëri nuk jemi në kushtet e një gare normale. A duhet të na mbajë jashtë politikës kjo, ne të rinjtë që duam që të ndryshojmë gjërat në këtë vend, Jo. Sepse nëse ne nuk do të ishim angazhuar vota e diasporës sot nuk do të ishte një realitet. Mblodhëm 21 mijë firma, rritëm ndërgjegjësimin për mes aktiviteteve në diasporë. A duhet kjo të na demotivojë për të garuar. Jo. Sepse vetëm kështu mund ta shtyjmë procesin në rrugën e duhur. Ne në këtë rrugëtim kemi hyrë për të dhënë atë që mund të japim, por ne nuk mund të bëhemi si ata për të fituar. Pra unë nuk mund të bëj marrëveshje me këdo për të kapur pushtet politik. Ne do të ecim drejt përpara, vetëm siç jemi. A mund të bëjmë marrëveshje me parti të tjera? Po patjetër. Se fakti që dështon njëherë në dashuri, nuk do të thotë se nuk do të dashurohesh më në jetë”, u shpreh Lapaj.
Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS), venosi më 30 korrik që mandati i vetëm i fituar nga Nisma Shqipëria Bëhet në qarkun e Tiranës, t’i kalonte të parës së listës së mbyllur, Ana Dajko./ZËRI