Ish diplomati Flamur Gashi ka qenë i ftuar në edicionin e orës 19 në Syri tv. Ai në studio me moderatoren Armela Feërko ka folur për zhvillimet e fundit në Kosovë pas zgjedhjes së një kryetari të ri të Kuvendit në Kosovë.
Flamur Gashi: Në fakt sikur sot u pa një dritë në fund të tunelit me zgjedhjen e kryetarit të ri të Parlamentit të Kosovës dhe të tre nënkryetarëve që me kushtetutë ju takojnë të tri partive të radhitura pas partisë së parë. Pra Vetëvendosja e ka Kryetarin e Kuvendit e ka edhe nënkryetaren e parë të parlamentit, pastaj nënkryetari i dytë i takon PDK dhe nënkryetari i tretë i takon LDK, plus dy nënkryetarë të tjerë që duhet të zgjidhen nga minoritetet.
Me sa duket ngërçi mbeti tek zgjedhja e nënkryetarit të minoritetit serb të parlamentit.
Kushtetuta e Republikës së Kosovës e ka të përcaktuar qartë pozicionin e nënkryetarëve të Parlamentit të Kosovës. Janë 5 nënkryetarë dhe dy prej tyre u takojnë minoriteteve. Përfaqësuesi i minoritetit serb duhet të propozohet nga të paktën 6 deputete të minoritetit serb ne parlament. Sot Sllavko Simiç është propozuar nga 9 deputetë serbë të parlamentit, ndërsa Nenad Rashiç është vetëpropozuar për nënkryetar të Kuvendit dhe këtu ka ndodhur ngërçi. Nëse do të pyetesha unë do të thoja të zgjidhej Rashiç pasi ai ka përfaqësuar shumë mirë minoritetin serb por ka përfaqësuar denjësisht edhe institucionet e Republikës së Kosovës. Por kushtetuta e Republikës së Kosovës është e qartë kur thotë se duhet të jetë i propozuar nga së paku 6 deputetë serbë të parlamentit. De fakto parlamenti i Republikës së Kosovës nuk quhet akoma i konstituuar pasi në kushtetutë thuhet se parlamenti quhet i konstituuar atëherë kur zgjidhen organet drejtuese të tij, kryetari dhe pesë nënkryetarët.
Në fakt nuk duket se të gjitha palët kanë qëllim zgjedhjet e përgjithshme. Por të gjitha palët po luajnë për zgjedhjet lokale. Kjo është një lojë e pamoralshme e pa princip duke filluar nga partia kryesore por edhe nga partitë e tjera. Sepse po luajnë më kartën e zgjedhjeve lokale e me kartën nacionaliste etj etj, që në këto momente më se pakti i nevojitet Kosovës dhe situatës politike që po kalon rajoni. Dhe Kosova mund të këtë pasoja të mëdha nëse nuk orientohet mirë. Çdo vonese në zgjedhjen e institucioneve të Republikës së Kosovës, çdo vonesë në krijimin e qeverisë së Kosovës është me pasoja të drejtpërdrejta për Kosovën.
