Nga rreth 38 milionë amerikanë të diagnostikuar me diabet, shumica dërrmuese kanë diabet të tipit 2.
Diabeti është një gjendje kronike shëndetësore që ndikon në mënyrën se si trupi e shndërron ushqimin në energji. Ai zhvillohet kur nivelet e sheqerit në gjak janë shumë të larta, duke bërë që pankreasi të prodhojë më pak insulinë, hormon që rregullon nivelet e sheqerit në gjak.
Faktorët gjenetikë dhe të stilit të jetesës mund të çojnë në diabetin e tipit 2, i cili në shumicën e rasteve mund të parandalohet, sipas Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC).
Faktorët e rrezikut për tipin 2 përfshijnë mbipeshën, historinë familjare me diabet, mungesën e aktivitetit fizik dhe moshën mbi 45 vjeç.
Diabeti i tipit 2 është i parandalueshëm, por a është i kthyeshëm? Mjekët thonë po. Studimet kanë treguar se, me ndryshime në dietë dhe aktivitet fizik, disa njerëz mund të arrijnë nivele normale të sheqerit në gjak pa përdorur ilaçe, duke hyrë në remision.
“Mënyra më e mirë për ta kthyer mbrapsht diabetin e tipit 2 është të ulet rezistenca e trupit ndaj insulinës së prodhuar nga pankreasi,” tha dr. Patricia Peter, profesoreshë asistente e mjekësisë në Shkollën e Mjekësisë Yale, në një deklaratë për media.
“Për shumicën e njerëzve, kjo do të thotë të arrijnë një peshë të shëndetshme, të ushtrohen rregullisht dhe të minimizojnë sheqernat dhe karbohidratet e tepërta në dietë,” shtoi ajo.
Mjekët paralajmërojnë se ndryshimet e shëndetshme të stilit të jetesës duhet të mbahen në vazhdimësi për të ruajtur nivelet normale të sheqerit në gjak dhe për të parandaluar rikthimin e sëmundjes. / The Hill – Syri.net
