Nga Alba KepiShën Pali (San Paolo Albanese, Potenza) – “Jemi tërësisht të braktisur”. Me këto fjalë kryetari i bashkisë Mosè Antonio Troiano i drejton një apel të hapur kryeministres italiane Giorgia Meloni, duke e ftuar të vizitojë Shën Palin, fshatin më të vogël të Basilicatës dhe një nga qendrat arbëreshe më të lashta në Itali.
“E ftoj kryeministren – thotë Troiano – të vijë të prekë me dorë vështirësitë e komunave të vogla të zonave të brendshme, por edhe të shohë me sytë e saj vlerat e këtij komuniteti që ende mban gjallë gjuhën, zakonet dhe traditat e veta.”
Shën Pali ndodhet në Val Sarmento, 843 metra mbi nivelin e detit, dhe ka sot vetëm 204 banorë. I themeluar në vitin 1534 nga shqiptarë të arratisur prej pushtimit osman, fshati ruan ende gjuhën arbëreshe, ritet bizantine, kostumet e trashëguara dhe festat e traditës shqiptare.
Në Planin Strategjik Kombëtar për Zonat e Brendshme, shteti e ka cilësuar situatën si “shpopullim të pakthyeshëm”, duke folur madje për “një mbyllje dinjitoze” të këtyre qendrave. Një fjali që për kryetarin Troiano është “e papranueshme, një zgjedhje e gabuar dhe fyese”.
Vetëm vitin e fundit, Basilicata ka humbur mbi 3.300 banorë, duke zbritur nën 530 mijë. Në periudhën 2011-2021 popullsia e rajonit është tkurrur me 6,4%. Në Shën Pali shifrat janë edhe më dramatike: në regjistrin e lindjeve shënohen një ose dy fëmijë në vit, ndërsa faqet e vdekjeve mbushen rregullisht.
Megjithatë, përtej shifrave, fshati mbetet një qendër e gjallë identitare. Në kishë vazhdon të kremtohet liturgjia bizantine, gratë vishen me kostumet tradicionale arbëreshe, fëmijët mësojnë këngët e vallet e trashëguara, ndërsa Muzeu i Kulturës Arbëreshe ruan kujtesën e pesë shekujve histori.
“Ne nuk dorëzohemi – shton Troiano – për këtë kemi krijuar edhe Rrjetin Qytetar të Jugut, që po rritet gjithnjë e më shumë dhe na lejon të bëjmë front të përbashkët mes komunave për të luftuar shpopullimin.”
Iniciativa e gazetës Il Mattino di Puglia e Basilicata
Në këtë betejë nuk është vetëm bashkia. Gazeta rajonale Il Mattino di Puglia e Basilicata ka vendosur “të adoptojë” Shën Palin, duke e kthyer atë në simbol të rezistencës kundër harresës dhe shpopullimit.
“Një gazetë – shprehet drejtuesi i saj – nuk duhet vetëm të informojë shpopullimin e një vendi, por mund dhe duhet të bëhet aleate e një komuniteti të harruar. Shën Pali nuk është thjesht një fshat i vogël: është një laborator rezistence, një avampost kulturor, një pasuri që i përket gjithë Italisë.”
Gazeta ka nisur një fushatë të përditshme për ta treguar jetën, vështirësitë dhe identitetin e fshatit, me bindjen se “të tregosh do të thotë të mbrosh”.
“Shën Pali nuk është statistikë, por histori e gjallë”
Apeli i kryetarit është i qartë: shteti nuk mund ta konsiderojë Shën Palin dhe fshatra të ngjashëm si realitete të destinuara për “mbyllje”. Përkundrazi, ato përfaqësojnë një trashëgimi të çmuar kulturore e historike që i takon gjithë Italisë.
“Nëse zhduket Shën Pali – paralajmëron Troiano – bie një model i tërë bashkëjetese dhe një pjesë e historisë kombëtare.”
