SYRI TV/ I jepet lamtumira e fundit Artur Zhejit, homazhet u zhvilluan në Universitetin e Arteve

Personalitete të jetës publike, medias, politikës, miq, kolegë dhe qytetarë i dhanë lamtumirën e fundit Artur Zhejit. Homazhet në nder të gazetarit dhe publicistit të njohur u zhvilluan këtë të hënë në ambientet e Universitetit të Arteve, prej nga më pas trupi i tij u nis drejt banesës së fundit, ku do të prehet, në varrezat e Tufinës.

Familjarë, miq e bashkëpunëtorë i dhanë lamtumirën e fundit gazetarit dhe publicistit të njohur Artur Zheji, i ndarë nga jeta dy ditë më parë në mënyrë të papritur, si pasojë e një arresti kardiak. Homazhet në nder të figurës së tij u zhvilluan në hollin e Universitetit të Arteve, aty ku Zheji kishte studiuar. Artistë, politikanë e gazetarë i dhanë lamtumirën e fundit mikut të tyre, duke vendosur kurora me lule pranë arkëmortit. Për miqtë e afërt, Zheji ishte mbi të gjitha një shpirt artisti dhe një erudit i rrallë, ndërsa nuk munguan vlerësimet për kontributin e tij në shumë fusha të jetës.

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, theksoi se Artur Zheji ishte një zë më vete në analizat e tij.
Në emër të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi shprehu ngushëllimet për familjarët e Zhejit, duke vlerësuar figurën e tij.
Ndërkohë, kryeministri Edi Rama, i cili u raportua se shkoi në zyrë në orët e para të mëngjesit, zgjodhi të bëhej pjesë e homazheve me dërgimin e një kurore me lule.

Homazhet për Artur Zhejin zgjatën për rreth dy orë, ndërkohë që pak pas orës 12:00 trupi i tij u nis drejt banesës së fundit, në varrezat e Tufinës.