Patatet kanë humbur vendin e tyre në piramidën ushqimore, edhe për shkak të skuqjes, por ekziston një mënyrë për t’i konsumuar pa shqetësime.
Është e vështirë të gjesh dikë që nuk i do patatet e skuqura: ato janë një pjatë e përhapur në mbarë botën dhe u pëlqejnë si të mëdhenjve, ashtu edhe fëmijëve. Disa i preferojnë shumë të kripura, të tjerë i shoqërojnë me ketchup, majonezë apo mustardë, por pothuajse të gjithë do t’i hanin çdo ditë. Fatkeqësisht, kjo nuk rekomandohet nga ekspertët e ushqyerjes, të cilët paralajmërojnë për pasojat e konsumit të tepruar.
Sipas disa studimeve të fundit, konsumimi i tri porcioneve patate të skuqura në javë rrit me 20% rrezikun për diabet të tipit 2. Pikërisht për këtë arsye, patatet janë zhvendosur në nivelin e tretë të piramidës ushqimore, aty ku rekomandohet konsum javor e jo ditor. Laura Rossi, drejtoreshë e Departamentit të Ushqimit, Ushqyerjes dhe Shëndetit në Institutin e Lartë të Shëndetit në Itali, shpjegon se kjo nuk lidhet me indeksin glicemik, por me faktin që ato konsumohen kryesisht të skuqura.
Studimi i botuar në British Medical Journal (1984–2021) u zhvillua mbi 205 mijë persona pa diabet, sëmundje kardiovaskulare apo kancer, të cilët çdo 4 vjet plotësonin një pyetësor mbi zakonet e tyre ushqimore. Pas 40 vjetësh, 22.299 prej tyre zhvilluan diabet të tipit 2. Nga analiza, u pa se patatet e ziera, të pjekura ose pure kishin ndikim minimal (+5%), ndërsa patatet e skuqura e rritnin incidencën me 20%.
Megjithatë, patatet e skuqura nuk duhen demonizuar. Konsumimi i tyre nuk është i rrezikshëm nëse bëhet me kujdes. Ekspertët sugjerojnë skuqjen sipas traditës mesdhetare, me vaj ulliri ekstra të virgjër, që i shton substanca antioksiduese dhe i ruan deri në 6 orë pas gatimit. Gjithashtu, është më mirë të përdoren patate të freskëta të qëruara e të prera në moment, të lihen pak minuta në ujë për të ulur sheqernat dhe më pas të skuqen në vaj 160–180°C, me pak copa njëherësh.
Duke ndjekur këto këshilla, mund të shijosh një porcion patate të skuqura pa e tepruar dhe pa pasur ndjenja faji.
