“Dragoi Blu” mbyll përkohësisht plazhet në Spanjë/ Krijesa e vogël, por jashtëzakonisht e rrezikshme

Dragoi blu

SPANJE- Një krijesë detare e vogël, sa një gisht i dorës, ka bërë që autoritetet në Spanjë të mbyllin përkohësisht disa plazhe, për shkak të rrezikshmërisë së saj për pushuesit.
Bëhet fjalë për të ashtuquajturin “dragoi blu”, një lloj molusku me pamje unike dhe ngjyrë blu metalike, i cili jeton zakonisht në ujërat e Oqeanit Atlantik.
Kohët e fundit, dy ekzemplarë të kësaj krijese janë vërejtur pranë brigjeve të Guardamar del Segura, në provincën e Alicante-s, përgjatë vijës bregdetare të njohur si Costa Blanca.
Pas konstatimit, autoritetet lokale reaguan menjëherë duke ndaluar hyrjen në det dhe duke vendosur alarmin e kuq për sigurinë në plazh.
Megjithëse në përmasa shumë të vogla, kjo krijesë është tejet e rrezikshme. Ushqimi i saj përfshin organizma helmues, si “karavela portugeze”, dhe ajo ruan helmet e tyre në trupin e vet. Si pasojë, kontakti me lëkurën e njeriut mund të shkaktojë djegie të forta, të vjella, marrje mendsh, madje edhe reaksione alergjike serioze në raste të rralla.