Përfaqësuesja e Lartë e BE-së Kaja Kallas sot në Tiranë (AXHENDA)

Kaja Kallas

TIRANË-Përfaqësuesja e Lartë e BE për Punët e Jashtme dhe Sigurinë, Kaja Kallas do të zhvillojë këtë të martë, 8 Prill, një vizitë zyrtare në Tiranë, ku do të mbajë disa takime dhe do të marrë pjesë në një sërë aktivitetesh të rëndësishme që thellojnë bashkëpunimin BE-Shqipëri.
Vizita do të nisë me takimin e Kallas me presidentin Bajram Begaj në orën 08:50. Pas kësaj, Kallas do të zhvillojë një takim me kryeministrin Edi Rama në orën 09:30.
Më pas, në orën 10:10, do të zhvillohet ceremonia e marrëveshjes për financimin e hekurudhës Durrës – Rrogozhinë, pjesë e Korridorit VIII, një projekt i rëndësishëm për infrastrukturën dhe lidhjen e Shqipërisë me rrjetin evropian të transportit. Firma e marrëveshjes do të pasohet nga një konferencë e përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama në orën 10:25.
Në kuadër të vizitës, Kallas do të merr pjesë gjithashtu në ceremoninë e nënshkrimit të një marrëveshjeje me Bankën Evropiane të Investimeve, e cila mbështet projekte të rëndësishme infrastrukturore në rajon.
Kjo është vizita e parë e Kajas në Shqipëri që nga marrja e detyrës si Përfaqësuese e Lartë e BE-së për Politikat e Jashtme dhe Sigurinë. Më parë, ajo ka zhvilluar takime në Mal të Zi, ndërsa ndalesa e fundit e saj në Ballkanin Perëndimor do të jetë në Bosnje e Hercegovinë. Sipas njoftimit të Komisionit Evropian, vizita e Kajas synon të thellojë bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, si dhe të forcojë lidhjet në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes./ZËRI