Është vendosur paraburgimi për shoferin bullgar 56-vjeçar të kamionit, pas dëshmisë së tij para gjykatësit hetues. Ai u arrestua për aksidentin tronditës rrugor që ndodhi të hënën në rrugën Egnatia, pranë pikës së pagesës së Iasmos në Rodopi, aksident i cili i mori jetën tre personave.
Pas daljes nga spitali disa ditë më parë, i akuzuari u paraqit sot para autoriteteve gjyqësore. Dëshmia e tij nuk i bindi gjykatësin dhe prokurorin, të cilët vendosën që ai të mbahet në paraburgim.
Kujtojmë se 56-vjeçari akuzohet për vrasje nga pakujdesia me pasojë vdekjen e disa personave, dëmtime trupore, dhe drejtim të rrezikshëm të mjetit.
Aksidenti ndodhi rreth 600 metra përpara pikës së pagesës, kur kamioni përplasi dy automjete të ndaluara që prisnin në radhë. Për shkak të përplasjes së fortë, automjeti i parë shpërtheu në flakë, duke shkaktuar vdekjen e menjëhershme të tre personave një çifti të moshës 59 dhe 57 vjeç, dhe një burri 61 vjeç.
Pritet që në ditët në vijim të dalin rezultatet e analizave toksikologjike për të përcaktuar nëse shoferi kishte konsumuar alkool. Ndërkohë, është caktuar edhe një ekspert për të përcaktuar shpejtësinë me të cilën udhëtonte kamioni në momentin e përplasjes.
