FOTO ILUSTRUESE
TIRANË-Tregtarët, si dhe qytetarët që tentojnë të fusin në Shqipëri produkte të falsifikuara të markave luksoze do të bllokohen në pikat doganore. Ligji i ri ka hyrë në fuqi më 16 gusht forcon mbrojtjen e markave tregtare, në përputhje me standardet e BE-së.
Në zbatim të ligjit Dogana Shqiptare ndalon importin/eksportin e mallrave që shkelin të drejtat e pronësisë intelektuale dhe merr masa kundër mallrave false. Pra çdo mall që vjen i stampuar me logo të firmave të mëdha botërore, siç janë Gucci, Armani, Louis Vuitton, Hermes, etj por që është imitim dhe jo prodhim zyrtar i këtyre kompanive, do të bllokohen në doganë, ndërsa do të ndalohen personat që tentojnë t’i fusin në Shqipëri.
Ndërkohë udhëtarët që vijnë në Shqipëri përmes rrugëve ajrore, tokësor edhe detare, lejohen të kenë në bagazhin personal vetëm mallra jo-tregtare, brenda limiteve duty free dhe pa tregues të dyshimtë.
Kjo pritet të jetë një goditje për firmat që imitojnë këto kompani dhe tregtarët që deri më tani importonin pa kriter këto mallra jo cilësore, duke i shitur me çmime të lira në treg.
Roli i Doganës Shqiptare
Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka një rol thelbësor në mbrojtjen e të drejtave të pronësisë intelektuale, duke qenë në vijën e parë të kontrollit të qarkullimit ndërkufitar të mallrave. Në përputhje me ligjet e reja dhe dispozitat e Kodit Doganor, Dogana Shqiptare:
-Parandalon importin dhe/ose eksportin e mallrave që cenojnë të drejtat e markave tregtare apo patentave.-Zbaton masa ndaluese dhe sekuestroje ndaj mallrave të dyshuara si shkelëse të të drejtave të pronësisë intelektuale.-Bashkëpunon me pronarët e të drejtave dhe autoritetet përkatëse për nxjerrjen jashtë qarkullimit dhe konfiskimin e mallrave të falsifikuara.-Informon dhe këshillon udhëtarët që mallrat pjesë e bagazhit personal lejohen vetëm kur janë të një natyre jo-tregtare, brenda limiteve duty free dhe pa tregues të dyshimtë që lidhen me trafikun tregtar.
