Boshllëqet e krijuar në tregun shqiptar për shkak të emigrimit masiv të rinjve, po zëvendësohet nga pensionistët. Për këtë arsye është rritur ndjeshëm punësimi i të moshuarve, ku sipas të dhënave të INSTAT për vitin 2024, në Shqipëri janë të punësuar 25% pensionistë, rreth 8% më shumë se një vit më parë. Një tjetër faktor i rritjes së punësimit të grupmoshave të treta, janë edhe pensionet e ulta.
SYRI TV
Emigrimi masiv i të rinjve për shkak të vështirësive ekonomike ka krijuar boshllëqe të mëdha në tregun e punës. Si pasojë, shumë biznese dhe institucione, si publike ashtu edhe private, po i drejtohen punësimit të pensionistëve.
Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2024 shkalla e punësimit për personat mbi 65 vjeç arriti në 25%, nga vetëm 17.6% që ishte një vit më parë. Një rritje e ndjeshme prej 7.4 pikë përqindjeje, është më e larta krahasuar me çdo grupmoshë tjetër.
Ky trend, sipas revistës Monitor, pritet të thellohet në vitet në vijim, për shkak të ndryshimeve demografike që po zhvendosin strukturën e popullsisë në favor të moshave të vjetra.
Punësimi i të moshuarve u intensifikua pas pandemisë, kur flukset e emigrimit u shtuan sërish, duke lënë mungesa të ndjeshme në tregun e punës. Por një tjetër arsye që i shtyn pensionistët të punojnë është niveli i ulët i pensioneve, që shpesh nuk mjaftojnë për të përballuar jetesën. Në këto kushte, rreth 25% e pensionistëve në vend janë të detyruar të sigurojnë të ardhura shtesë, pavarësisht sfidave shëndetësore që sjell mosha.
Puna pas pensionit është e pranishme në të gjithë sektorët, përfshirë edhe atë publik. Në qarqet e vendit, shumë pensionistë vazhdojnë të punojnë në arsim, shëndetësi dhe fusha të tjera, për shkak të mungesës së të rinjve për t’i zëvendësuar.
