Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, është rikthyer në burgun e Durrësit pas disa ditësh qëndrimi në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.
Burime pranë Drejtorisë së Burgjeve konfirmojnë se pas stabilizimit të gjendjes shëndetësore, Beqaj është dërguar sërish në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale, ku po vuan masën e sigurisë “arrest në burg”.
Beqaj ishte shtruar në shërbimin e Alergologjisë në QSUT, pasi pësoi një alergji akute të shfaqur në lëkurë, e shoqëruar me temperaturë të lartë dhe infeksion. Pas ndërhyrjes mjekësore, gjendja e tij është përmirësuar dhe tashmë ndodhet nën kujdesin e mjekëve të burgut.
Ish-ministri qëndron prej një viti në paraburgimin e Durrësit për llogari të dosjes SASPAC, ndërkohë që është i pandehur edhe në procesin penal për koncesionin e “Sterilizimit”. Në qershor, SPAK i kërkoi Gjykatës së Posaçme të shpallë fajtorë tetë të bashkëpandehurit e tij, ndërsa Beqaj po gjykohet veçmas.
Hetimet ndaj tij lidhen me dyshimet për nënshkrimin e një kontrate në kundërshtim me ligjin, bazuar në të dhëna të pavërteta në studimin e fizibilitetit, si dhe për mosshmangien e konfliktit të interesit me biznesmenin Ilir Rrapaj, fitues i koncesionit të shumëdebatuar.
