Hulumtimi gjerman – a është qumështi vërtet i shëndetshëm?

Qumështi ka qenë për shekuj me radhë sinonim i shëndetit, por sot është në qendër të një debati të gjerë. Për disa ai mbetet një burim i pazëvendësueshëm ushqyesish, ndërsa për të tjerë përfaqëson rrezik shëndetësor, barrë mjedisore dhe shkelje të mirëqenies së kafshëve.

Sipas Shoqatës Gjermane të Ushqyerjes (DGE), konsumi mesatar i qumështit në Gjermani vitin e kaluar ishte 46 kilogramë për person, dhjetë kilogramë më pak se një dekadë më parë.

Qumështi i lopës përmban aminoacide esenciale, më shumë se 400 acide yndyrore, kalcium, magnez, kalium, fosfor dhe një sërë vitaminash, ndaj edhe Departamenti Amerikan i Shëndetësisë rekomandon dy racione qumësht ose produkte qumështi në ditë.

Megjithatë, deri në 75 për qind të popullsisë së botës dhe rreth 30 për qind e evropianëve janë intolerantë ndaj laktozës, çka sjell dhimbje barku, fryrje dhe çrregullime tretjeje. Për personat me predispozitë ndaj alergjive, qumështi mund të rrisë gjithashtu rrezikun e sëmundjeve alergjike.

Një tjetër pikë kritike është ndikimi në mjedis. Profesori Marko Springman i Universitetit të Oksfordit thekson se qumështi ka një nga gjurmët më të mëdha ekologjike, pas mishit të viçit. Prodhimi i ushqimit, përfshirë qumështin, gjeneron rreth një të katërtën e emetimeve të gazrave serrë globalisht dhe është faktor kryesor në humbjen e biodiversitetit.

Nga ana tjetër, hulumtimet e Universitetit Humboldt në Berlin kanë zbuluar se lopët e qumështit të rritura në mënyrë konvencionale jetojnë në kushte më të këqija se shumë specie të tjera të bagëtive në bujqësinë industriale.

Këto arsye kanë shtyrë gjithnjë e më shumë konsumatorë të zgjedhin alternativa me bazë bimore si qumështi i sojës, i tërshërës apo i bajameve, të cilat përbëjnë tashmë rreth 10 për qind të tregut global. Përveç ndikimit më të ulët mjedisor, ato pasurohen me kalcium dhe vitamina për të qenë krahasueshëm me qumështin e lopës nga ana ushqyese.