Dy vatra zjarri në Vlorë, rrezikohen banesat në Selenicë, nis ndërhyrja me helikopter

Pamje nga vendngjarja

VLORË- Dy vatra zjarri janë regjistruar në orët e pasdites së sotme në Vlorë dhe në Selenicë, ndërsa forcat zjarrfikëse janë angazhuar menjëherë për të ndërhyrë. Mësohet se dy helikopterë janë angazhuar dhe po punojnë për neutralizimin e flakëve në Lapardha, Bashkia Selenicë, ndërkohë pritet edhe ndërhyrja e një tjetër helikopteri. Por, terreni shumë i vështirë vështirëson edhe punën e zjarrfikësve. Zjarri ka përfshirë kodrat mbi fshat duke rrezikuar banesat, teksa banorët janë angazhuar së bashku me forcat zjarrfikëse për të izoluar flakët. Në qytetin e Vlorës, flakët përfshinë sërish fushën e mbetjeve urbane, ku për shkak të erës zjarri u përhap me shpejtësi.
Ndërkohë, disa vatra zjarri janë riaktivizuar këtë pasdite në rrethin e Krujës, konkretisht në Barkanesh, Nikël dhe Brret, duke djegur pyje e duke rrezikuar banesa. Dyshohet se zjarret janë të qëllimshëm dhe mendohet që vihen për ti hapur terren guroreve ose ndonje guroreje të re. Ndërhyrja po kryhet nga forcat zjarrfikëse për të bërë të mundur shuarjen e flakëve, ndërsa situata rrezikon të agravohet pasi flakët mund ti afrohen depove të dinamitit./ZËRI