Në kulmin e temperaturave të larta të verës, banorët e lagjes ‘5 Maji’ në Elbasan po përballen me mungesën e ujit të pijshëm. Prej më shumë se dy dekadash, ky problem është kthyer në një sfidë të përditshme për ta, ndërsa institucionet përgjegjëse vijojnë të heshtin. Rritja e tarifës për ujin, pa përmirësim të shërbimit, ka shtuar edhe më shumë pakënaqësinë
Nga SYRI TV
Banorët e lagjes “5 Maji” në qytetin e Elbasanit po përballen me mungesën e ujit të pijshëm në këto ditë të nxehta vere. Ata shprehen se furnizimi me ujë në çezmat e shtëpive të tyre është i reduktuar dhe me orar të kufizuar, duke i detyruar të mbushin ujë në lagje të tjera ose të hapin puse për nevojat bazë.Sipas banorëve, kjo situatë zgjat prej më shumë se 25 vitesh dhe është lënë në harresë nga bashkia dhe institucionet përgjegjëse.Banorët thonë se janë ankuar në institucionet përkatëse, por nuk kanë marrë asnjë zgjidhje konkrete. Ata shtojnë se bashkia kujtohet për problemet e tyre vetëm gjatë fushatave zgjedhore, kur bëhen premtime elektorale që nuk mbahen.Në kushtet e temperaturave të larta, mungesa e ujit e bën jetesën të vështirë dhe të papërshtatshme. Ndërkohë, që prej muajit gusht, tarifa për ujin e pijshëm në qytetin e Elbasanit është rritur me 20 lekë të reja për metër kub — në një kohë kur shërbimi lë shumë për të dëshiruar.
