A kalohen sëmundjet seksualisht të transmetueshme dhe infeksione të tjera përmes kapakut të tualetit: Çfarë thonë mikrobiologët?

Ndërsa uleni mbi një legen tualeti të përdorur nga qindra njerëz gjatë ditës, ndjenja e neverisë është e natyrshme. Pamja e urinës në dërrasë dhe dysheme, aroma e fortë e lëngjeve trupore, shpesh detyron përdoruesit të gjejnë mënyra për të shmangur kontaktin: duke hapur derën me bërryl, ndezur ujin me këmbë ose mbuluar dërrasën me letër.

Por a mund të infektoheni thjesht duke qëndruar ulur? Ekspertët thonë se rreziku nga kapaku i tualetit është i papërfillshëm. Sëmundjet seksualisht të transmetueshme, si gonorreja dhe klamidia, nuk mbijetojnë gjatë jashtë trupit, ndërsa infeksionet e traktit urinar zakonisht nuk merren nga dërrasa.

Përjashtim mund të bëjnë disa viruse, si HPV, i cili mund të mbijetojë deri në një javë në sipërfaqe, por për t’u transmetuar kërkohet lëkurë e dëmtuar ose plagë. Herpes virus gjithashtu mund të transmetohet teorikisht, por rreziku është shumë i ulët.

Sipas studiuesve, problemi kryesor nuk është kontakti me dërrasën, por bakteret që përhapen përmes duarve. Patogjenë si E. coli, salmonelë, shigelë, stafilokok, apo norovirus, mund të transferohen nga sipërfaqet e kontaminuara tek fytyra dhe goja. Norovirus mund të mbijetojë deri në dy muaj, por tualetet publike pastrohen shpesh, duke ulur rrezikun.

Një rrezik i nënvlerësuar është “reja e tualetit” – grimcat që përhapen kur lëshohet uji. Ato mund të përfshijnë bakteret Clostridium difficile, veçanërisht në spitale. Sipërfaqet më të ndotura janë dorezat, rubinetat dhe dyshemeja.

Ekspertët rekomandojnë: sa më pak prekje të jetë e mundur, përdorimi i sistemeve pa kontakt, larja e duarve për 20 sekonda me sapun dhe, nëse është e mundur, përdorimi i dezinfektuesit të duarve. Një strategji tjetër është të prisni disa minuta para se të hyni pas përdoruesit të mëparshëm për të shmangur grimcat në ajër.

Në fund, rreziku i infeksionit në tualetet publike është shumë më i ulët nga sa mendohet – higjiena e duarve dhe pak kujdes janë të mjaftueshme për të mbrojtur shëndetin.