Sali Berisha homazh për Saimir Malokun: Heroi i anticensurës që sfidoi diktaturën komuniste

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka shprehur homazhet dhe nderimin e tij për Saimir Malokun, inxhinierin e guximshëm që sfidoi censurën e diktaturës komuniste duke shpikur “kanaçen” antizhurmuese, falë së cilës shqiptarët mund të ndiqnin televizionet e huaja. Në mesazhin e tij, Berisha e cilëson Malokun si heroin e anticensurës, i cili vuajti vite burg për aktin e tij dhe mbeti i përkushtuar ndaj lirisë e demokracisë.
Homazhi i Berishës:

“Homazhe për Saimir Malokun, heroin e anticensurës!”

Të dashur miq,

Saimir Maloku, njeriu që në kushtet e errësirës së plotë informative të vendosur nga diktatura komuniste, përdori njohuritë e tij si inxhinier ndërlidhjeje dhe me guxim ndërtoi antizhurmuesin që bënte të mundur marrjen e valëve televizive të RAI-t dhe stacioneve të tjera të huaja. Shpikja e tij u përhap me shpejtësi; qarqet dhe tranzistorët për ndërtimin e “kanaçes” silleshin fshehtas nga jashtë.

Shpesh e kam kujtuar “Kanaçen” e Saimir Malokut si një lloj VPN-i i kohës, që u mundësonte njerëzve të ndiqnin botën e lirë, ashtu siç shkarkojnë sot aplikacione për të ndjekur TikTok-un që Edi Rama e bllokoi në vitin elektoral.

Për aktin e tij kundër censurës zyrtare, Saimir Maloku u arrestua, u dënua dhe vuajti shumë vite burg. Ai u angazhua që në ditët e para të lëvizjes demokratike dhe ishte aktiv në revoltën paqësore që përmbysi shtatoren e diktatorit Enver Hoxha në Tiranë. Më pas, ai kontribuoi në fitoren e Partisë Demokratike dhe mbështeti vazhdimisht kauzën e saj.

Saimir Maloku ishte patriot, njeri i guximshëm, i dashur, qytetar dhe prind shembullor. Ai do të mbahet mend gjithmonë si heroi i anticensurës që sfidoi me trimëri errësirën dhe censurën e diktaturës komuniste, asaj “Hitleriane shqiptare” të pasluftës.

Duke shprehur mirënjohjen më të thellë dhe nderimin më të madh për kontributin e tij, përcjell ngushëllimet më të ndjera familjes së tij të nderuar, miqve dhe të afërmve. I lutem Zotit që shpirti i mirë i Saimir Malokut të gjejë paqen e merituar.

Amin!