SYRI TV/ Përkujtohet masakra e Qafë Valmirit, regjimi vrau 14 burra për vdekjen e Bardhok Bibës

Në Mirditë u përkujtua sot 76-vjetori i Masakrës së Qafë Valmirit. 14 burra nga dyert e fisme të kësaj treve u dënuan me vdekje në shenjë hakmarrjeje pas vrasjes së Sekretarit të Parë të Mirditës, Bardhok Biba, nga Komiteti i Maleve – një formacion i armatosur që ishte kundër regjimit komunist dhe që kërkonte bashkimin e Shqipërisë me Kosovën dhe trojet e tjera shqiptare.

Familjarë të viktimave, përfaqësues të ish-të përndjekurve politikë dhe deputetë të Partisë Demokratike bënë homazhe pranë memorialit të ngritur në nderim të viktimave.

Familjarë të të pushkatuarve dhe ish-të përndjekur politik u shprehën se 17 gushti i vitit 1949 ishte një ditë e zezë për Mirditën, që nuk duhet harruar.

Masakra e Qafë Valmirit është një prej ngjarjeve më të dhimshme për Mirditën, pasi me të nisi një valë terrori, ku qindra persona u burgosën, 400 familje u internuan dhe popullsia u çarmatos me dhunë nga forcat e ushtrisë.