Në Mirditë u përkujtua sot 76-vjetori i Masakrës së Qafë Valmirit. 14 burra prej dyerve të fisme të kësaj treve u dënuan me vdekje në shenjë hakmarrje pas vrasjes së Sekretarit të Parë të Mirditës Bardhok Biba nga Komiteti i Maleve, një formacion i armatosur që ishte kundër regjimit komunist dhe që kërkonte bashkimin e Shqipërisë me Kosovën dhe trojet e tjera shqiptare. Familjarë të viktimave, përfaqësues të ish- të përndjekurve politikë dhe deputetë të Partisë Demokratike bënë homazhe pranë memorialit të ngritur në nderim të viktimave.
Në një reagim të tij në facebook, lideri i Partise Demokratike, Sali Berisha rikujtoi tmerrin e atij 17 gushti, kur njësitë terroriste të udhëhequra nga Mehmet Shehu ekzekutuan në Qafë Valmir.
Berisha theksoi se pas kësaj masakre, regjimi komunist i Enver Hoxhës përndoqi dhe internoi qindra familje mirditore, dhe mbi 600 burra e gra të Mirditës u martirizuan gjatë 46 viteve të diktaturës për liri, besimin në Zotin dhe atdheun e tyre.
Postimi
Sot Mirdita nderon martirët e 17 Gushtit 1949.
Të dashur miq,
Më 17 gusht të vitit 1949 populli i Mirditës përjetoi një masakër të vërtetë nga regjimi mizor komunist. Njësi terroriste të drejtuara nga vrasësi serial Mehmet Shehu ekzekutuan në Qafë Valmir 14 martirë nga familjet më në zë të Mirditës: 10 prej tyre i pushkatuan duke i mbuluar me dhe të gjallë dhe 4 të tjerë i varën në litar.
Pas kësaj masakre, xhelati i shqiptarëve Enver Hoxha përndoqi dhe internoi në kampet e përqendrimit në Tepelenë e gjetkë qindra familje mirditore. Mbi 600 burra e gra të Mirditës u martirizuan gjatë 46 viteve të diktaturës, për liri, besimin te Zoti dhe atdheun e tyre.Sot, në 76-vjetorin e masakrës së Valmirit, qytetarët e Mirditës, nënkryetari i Partisë Demokratike Agron Gjekmarkaj, deputetja Elda Hoti dhe kryetari i Bashkisë së Mirditës Albert Melyshi bënë homazhe dhe vendosën kurora në nderim të martirëve të Mirditës dhe Shqipërisë.
Nderim të përjetshëm martirëve të lirisë:
1. Ded Preng Gjomarkaj – Orosh, varur në litar.
2. Pjetër Ded Vila – Kaçinar, varur në litar.
3. Dodë Mark Biba – Tenë, varur në litar.
4. Dod Llesh Paloka – Kaçinar, varur në litar.
5. Nikollë Bardhok Bajraktari – Rrëshen, pushkatuar.
6. Llesh Gjon Melyshi – Malaj, pushkatuar.
7. Nikoll Llesh Bajraktari – Orosh, pushkatuar.
8. Ndrecë Mark Ndoj – Kaçinar, pushkatuar.
9. Bardhok Dodë Gjini – Prosek, pushkatuar.
10. Gjin Gjok Kaçi – Bukmirë, pushkatuar.
11. Gjergj Beleshi – Kthellë e Epër, pushkatuar.
12. Ndoc Gjet Çupi – Blinisht, pushkatuar.
13. Preng Shkurt Nikolli – Orosh, pushkatuar.
14. Frrok Mata – Kaçinar, pushkatuar.
I përjetshëm qoftë kujtimi i tyre!
