Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, do të vizitojë Shtetet e Bashkuara të hënën për t’u takuar me homologun e tij amerikan, Donald Trump, ndërsa shumë udhëheqës evropianë do t’i bashkohen atij gjatë këtij takimi.
Para vizitës në Uashington, Zelenskyy do të ndalojë në Bruksel për një takim me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Dy liderët do të marrin pjesë së bashku në takimin virtual, ku do të jenë edhe kancelari gjerman Friedrich Merz, presidenti francez Emmanuel Macron dhe kryeministri britanik Keir Starmer.
Në një postim në X, von der Leyen njoftoi se do t’i bashkohet Zelenskyy-t në Shtëpinë e Bardhë, duke shtuar se udhëheqës të tjerë evropianë gjithashtu do të marrin pjesë, megjithëse ende nuk është konfirmuar nëse ata do të udhëtojnë drejt Uashingtonit apo do të bashkohen virtualisht.
This afternoon, I will welcome @ZelenskyyUa in Brussels.Together, we will participate in the Coalition of Willing VTC.At the request of President Zelenskyy, I will join the meeting with President Trump and other European leaders in the White House tomorrow.
— Ursula von der Leyen (@vonderleyen) August 17, 2025
Sipas Berlinit, kancelari gjerman Merz do të udhëtojë në kryeqytetin amerikan për të marrë pjesë në bisedime, që sipas zëdhënësit të tij, do të shërbejnë si shkëmbim informacioni me Presidentin Trump pas takimit të këtij të fundit me Presidentin rus Vladimir Putin në Alaska.
Pallati Elize konfirmoi gjithashtu pjesëmarrjen e presidentit Macron, ndërsa presidenti finlandez Alexander Stubb dhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni pritet të marrin pjesë. Mediat italiane raportojnë se Meloni ka ndërprerë pushimet për t’u përgatitur për udhëtimin drejt SHBA-së.
