Sulmi ndaj News24, Focus Media Group në gjykatë, kërkon pezullimin e veprimeve të KAYO SHA dhe të Policisë

Sot në Gjykatën Civile të Tiranës po zhvillohet seanca për kërkesën e Focus Media Group për vendosjen e një mase sigurie padie, me qëllim rikthimin e aktivitetit normal të redaksive të prekura, lejimin e vijimit të punës së gazetarëve, transmetimit të programeve, si dhe pezullimin e veprimeve të ndërmarra nga KAYO SHA dhe Policia e Shtetit.

Kërkesa vjen pas ndërprerjes së sinjalit të transmetimit të News24, BalkanWeb, Gazeta Shqiptare dhe Panorama, të shtunën në mëngjes një moment kur gjykatat dhe administrata ishin pushim, gjë që ka ngritur dyshime për ligjshmërinë dhe transparencën e ndërhyrjes.

Gazetarët kanë ngritur gjithashtu pretendime shqetësuese për ndërhyrje nga persona të panjohur dhe të paidentifikuar në të dhënat e tyre personale dhe profesionale, përfshirë materiale investiguese, biseda me burime konfidenciale dhe kontakte të tjera të ndjeshme.

Seanca gjyqësore sapo ka nisur, ndërsa vëmendja publike dhe mediatike është përqendruar tek vendimi që pritet të marrë gjykata për një çështje që ka ngritur shqetësime serioze mbi lirinë e medias dhe mbrojtjen e të dhënave të gazetarëve në Shqipëri.

Kujtojmë se prej datës 09.08.2025 televisionit News24 i është ndërprerë transmetimi duke vijuar mbrëmjen e djeshme edhe me grabitjen e kompjuterave dhe materialeve të punonjësve.