Kaos në Kapshticë/ Pala greke me sportele të reduktuara, emigrantët presin në radhë kilometrike

Foto ilustruese

KAPSHTICË- Pika kufitare e Kapshticës ka regjistruar një numër të lartë udhëtarësh duke shkaktuar radhë të gjata pritjeje dhe tension. Bëhet me dije se shkak është bërë mungesa e personelit dhe puna me sportele të reduktuara e palës greke në pikën e kalimit kufitar të Krystallopigi. Emigrantë që udhëtojnë nga Greqia drejt Shqipërisë janë detyruar të kalojnë orë të tëra në radhë, teksa radha e mjeteve që presin të hyjnë drejt vendit tonë i kalon 2 km. Nga ana tjetër, pala shqiptare është duke punuar me kapacitete maksimale për të evituar radhët e gjata. 
Bëhet me dije se mbi 37 mijë shtetas kanë hyrë gjatë 5 ditëve të fundit nëpërmjet pikës së kalimit kufitar të Kapshticës. Këto shifra paraqesin një fluks të zakonshëm për maujin gusht, ku shumica e emrigrantëve që jetojnë dhe punojnë në vendin fqinj rikthehen në atdhe për pushime. Ndërkohë, në ditët në vijim, pritet një numër më i lartë hyrje – daljesh. Qytetarët kanë bërë apel që të gjendet një zgjidhje për këtë situatë që regjistrohet gati çdo vit për të njëjtën arsye, ndërsa situata rrezikon të përkeqësohet edhe më tej nëse autoritetet greke nuk marrin masa për të rritur kapacitetet e përpunimit në kufi./ZËRI