Në një kohë që kryetarja e Bashkisë Durrës, Emirjana Sako u referohet banorëve si ata që jetonin buzë kanalit të bretkosave, Syri Tv ka bërë një vëzhgim në Durrësin e ri ku vërehet se kanalet e hapura të ujërave të zeza janë prezente në shumë rajone dhe bashkëjetojnë në një qytet që po realizon dhe projekte si Durrës Yatch Marina. Ndërkohë sa i përket investimit në rrugën ‘Azem Hajdari’ dosja do shkon në SPAK, teksa kanalet e ujërave të zeza janë bërë dhe vendgrumbullim mbetjesh urbane
Syri Tv
Me këtë gjuhë përçmuese Emirjana Sako i referohet familjeve që u janë prishur banesat në rrugën ‘Azem Hajdari’, teksa e vërteta është që ato ishin vila dy katëshe dhe ata banorët nuk do t’i marrin të njëjtat sipërfaqe që kishin në lagjen e re në Spitallë, një zonë informale, ku ende pallatet nuk janë bërë të banueshëm.
Ndërkohë ato që cilësohen kanale bretkosash, kryetarja e Bashkisë që më herët ka qenë dhe drejtoreshë e përgjithshme, pra përgjegjëse për mbylljen e këtyre kanaleve, janë prezente në pjesën më të madhe të Durrësit të ri.
Këto kanale as nuk janë mbyllur dhe as nuk u është bërë sistemimi i ujërave të zeza, ndonëse fondet janë lëvruar si në rastin e rrugës ‘Azem Hajdari’, dosja për të cilin ka shkuar në SPAK.
Ndonëse kanë kaluar 2 vite nga nisja e punimeve në rrugën ‘Azem Hajdari’, rruga është lënë në mëshirë të fatit, pa sinjalistikë, pa ndriçim, pa betonizim anash kanalit kryesor pa sistemim ujërash të zeza, duke penalizuar dhjetëra biznese të hapura në zonë.
Syri Tv ka bërë një vëzhgim në zonat e Durrësit, ku kanalet e hapura ku derdhen ujërat e zeza janë kthyer në një masakër ekologjike, që janë në kontrast me atë që Durrësi pretendon të ofrojë edhe përmes projektit Durrës ‘Yatch Marina’.
Përtej derdhjes së ujërave të zeza, në këto kanale derdhen edhe mbeturinat dhe pamjet që sjell Syri Tv nuk kanë nevojë për shumë koment.
Ndërkohë përveç kësaj nuk kanë munguar as aksidentet e rënda, kur automjetet kanë përfunduar në kanal dhe kanë rrezikuar jetë njerëzish.
