Një valë reagimesh ka shpërthyer në SHBA pas veprimit të ish-gazetarit të njohur të CNN, Jim Acosta, i cili realizoi një intervistë me një avatar të krijuar me inteligjencë artificiale, që përfaqësonte një të ri të vrarë në vitin 2018 gjatë masakrës në shkollën e mesme në Parkland të Floridës.
Acosta, ish-korrespondent i Shtëpisë së Bardhë dhe kritik i hapur i Donald Trump, është aktualisht aktiv në një kanal në YouTube, ku vijon të mbështesë fushatat për ashpërsimin e ligjeve për armët në SHBA.
Të hënën, ai publikoi një video-intervistë me avatarin e Joaquin Oliver, 17-vjeçarit që humbi jetën së bashku me 16 të tjerë në njërën prej sulmeve më të përgjakshme me armë në historinë amerikane.
Përdorimi i inteligjencës artificiale për të ‘rikrijuar’ zërin dhe pamjen e të ndjerit shkaktoi zemërim të madh publik.
Avatarin i Joaquin Oliverit lëshonte mesazhe që kërkonin forcim të legjislacionit për kontrollin e armëve, mbështetje për shëndetin mendor dhe përfshirje më të madhe të komunitetit.
Por shumë përdorues në rrjetet sociale reaguan ashpër, duke e cilësuar intervistën si ‘manipuluese’, ‘makabre’ dhe ‘moralisht e papranueshme’.
“Është e neveritshme dhe e tmerrshme. Sa duhet të kesh humbur sensin njerëzor për të menduar se kjo është ide e mirë?”, shkroi një komentues. Një tjetër shtoi: “Ka të mbijetuar nga kjo masakër që mund të jepnin dëshmi reale në vend të kësaj groteske digjitale.”
Media si Fox News dhe New York Post, kritikuan ashpër Acostan për qasjen e tij. “Ishte thjesht një demonstrim i çuditshëm i teknologjisë, jo një intervistë,” shkroi gazetarja Kirsten Fleming. “E rreme, monstruoze, si një skenar distopik i bërë realitet.”
Në përpjekje për të mbrojtur veprimin e tij, Acosta publikoi një video ku babai i Joaquin Oliver, Manuel Oliver, përshëndet intervistën dhe përdorimin e teknologjisë për të përcjellë mesazhe ndërgjegjësimi.
“Nëse problemi juaj është inteligjenca artificiale, atëherë nuk po shihni problemin e vërtetë,” tha ai. “Problemi i vërtetë është se djali im u vra nga plumbat tetë vite më parë.”
