‘Ç’keni me pemën re? Rama nuk do as hije’/ Deputeti i PD përplaset me Policinë

Saimir Korreshi-Lushnjë

LUSHNJË- Aksioni i lirimit të hapësirave publike ka hasur në kundërshtime edhe në qytetin e Lushnjës, ku IMT dhe policia e rendit janë përplasur me qytetarët, por jo vetëm. Deputeti demokrat, Saimir Korreshi, u bë bashkë me qytetarët për të kundërshtuar prerjen e pemëve mbi 30-vjeçare në lagjen “Gafurr Muço”. Madje, Korreshi ka filmuar të gjithë skenën përmes një video live në rrjetin e tij social, Facebook. Ai ka kundërshtuar efektivët e policisë, teksa thotë se pemës nuk i kishte ndodhur asgje, por u pretendua se ajo “zinte hapësirën publike”. Gjatë përplasjes, Korreshi dhe qytetarët e mbledhur kanë kërkuar urdhrin me shkrim për prerjen e pemës, ndërsa sipas punonjësve të bashkisë cilësohet si pengesë urbane. “Ku e ke urdhrin, ma nxjerr urdhrin”, dëgjohet t’i drejtohet Korreshi policisë.
“Ore keni parë urdhër për të prerë pemët që bëjnë hije? Ore kuptoni ça po bëhet këtu, po pritet një pemë që bën hije. Nuk do Edi Rama as hije, as kryetari i Bashkisë nuk do hije.”, thotë Korreshi ndër të tjera, duke ironizuar kryeministrin Rama që në askionin e lirimit të hapësirave publike po përfshin edhe prerjen e pemëve. 

Aksioni i lirimit të hapësirave publike ka nisur pothuajse në të gjithë vendin me urdhër të kryeministrit Edi Rama. Fenomeni “tokë e xanun”, sipas Ramës, nuk do të ekzistojnë më. Lidhur me këtë, ai ka bërë thirrje për të gjitha bizneset apo individët të cilët kanë zaptuar padrejtësisht hapësirat publike, t’i lirojnë menjëherë. Sakaq, kryeministri ka paralajmëruar se do të përballen me ligjin kushdo që e kundërshton aksionin./ZËRI