‘Farsa e 11 majit do të denoncohet në çdo kryeqytet europian!’ Berisha takon zyrtarin e lartë pranë Fondacionit të CDU-së gjermane

Kryetari i Partisë Demokratike pati sot një takim me Lars Hänsel, drejtor i Departamentit për Europën dhe Amerikën e Veriut pranë Fondacionit gjerman Konrad Adenauer Stiftung (CDU), gjatë të cilit nënvizoi se “farsa zgjedhore e 11 majit” do të denoncohet në çdo kryeqytet europian.

Gjatë bisedës, kreu i PD falënderoi zotin Hänsel dhe drejtorin e zyrës së KAS për Shqipërinë, Thomas Kunze, për mbështetjen e dhënë në forcimin e kapaciteteve të opozitës, hartimin e programit ekonomik dhe prezantimin e tij para publikut.

Gjatë takimit Berisha theksoi shqetësimin se qeverinë Rama se ka shndërruar Shqipërinë në një “diktaturë autoritare” ku, ndryshe nga e kaluara totalitare me bazë ideologjike, forca kryesore lëvizëse është krimi dhe droga.

PD akuzon gjithashtu se reforma në drejtësi po i jep mbrojtje dhe paprekshmëri autorëve të krimit zgjedhor, ndërsa 11 maji u kthye në “farsën më të turpshme të tranzicionit shqiptar”.

“Shqipëria, theksova në takim, është një diktaturë autoritare e cila në dallim nga diktatura totalitare që kemi kaluar dekada më parë nuk ka ideologjinë, por ka drogën si forcë levizëse kryesore që vendos në rrugë, në parlament në qeveri, në gjyktata, prokurori, që vendos kush do jetë në qeveri dhe kush do jetë në parlament etj. Është droga që vendos kush kandidon, kush fiton e kush drejton vendin e agjencitë publike. Janë së paku 28 deputetë që krimi i organizuar ka diktuar në zgjedhjet e 11 majit, ashtu siç dëshmoi në mënyrën më ulëritëse rasti i kartelit të Troplinëve të cilët pas zgjedhjeve, u shpërblyen me leje kullash droge në Durrës. E informova Z. Hänsel se ky realitet është i shtrirë në Durrës, por dhe në Elbasan, Shkodër e kudo në vend, ku krimi elektoral kontrollon territorin me kamera, frikë, korrupsion e licenca kanabisi. Mbështetur nga një reformë drejtësie që në vend të ndëshkimit u jep mbrojtje e paprekshmëri, krimi zgjedhor bëri që 11 maji të kthehej në farsën më të turpshme të tranzicionit shqiptar. E turpshme ashtu si dhe letra dërguar misionit të OSBE/ODHIR fill pas 11 majit, teksa ministri i jashtëm tenton nëpërmjet presionit të zhbëjë gjetjet dhe akuzat e raportit më të zi redaktuar ndonjëherë në këto 30 vite. Një mentalitet kriminal që i karakterizon të gjitha hallkat e qeverisë Rama, që nga Kryeministri, Ministri e deri tek patronazhisti më i ulët.Duke kërkuar dhe ndihmën e partnerëve tanë perëndimor si KAS, Partia Demokratike do të vijojë fuqimisht betejën për transparencë e denoncim në nivel ndërkombëtar, në mënyrë që farsa zgjedhore e 11 majit të refuzohet nga çdo partner e aleat i demokracisë shqiptare” shkruan Berisha në postim. 

Në takim morën pjesë gjithashtu dhe Deputeti i Partisë Demokratike Z.Tomorr Alizoti, dhe Z.Akil Kraja, Drejtor i Fondacionit të PD për Liri dhe Demokraci.